Filharmonia. Foto: Facebook/FK
Rinis puna në Filharmoninë e Kosovës
Që nga dita e djeshme orkestra dhe kori i Filharmonisë kanë rinisur punën pas më shumë se 6 muaj ndërprerje për shkak të pandemisë së Coronavirusit.
Përmes një njoftimi në Facebook, menaxhmenti i këtij institucioni ka njoftuar se dy njësitë e Filharmonisë kanë rifilluar provat pas vendimit të fundit të qeverisë për masa lehtësuese anti COVID-19.
“Filharmonia e Kosovës ka rifilluar provat me grupe të vogla të dy njësive të saj, orkestrës dhe korit. Pas shkëputjes prej më shumë se gjashtë muajsh, që kur vendi u fut në izolim për shkak të pandemisë dhe ballafaqimit me përhapjen e virusit Covid-19, urojmë që të jetë një fillim i mbarë për sezonin të cilin tashmë kemi filluar ta planifikojmë. Filharmonia do t’i kthehet koncerteve me numër të kufizuar të pjesëmarrësve gjatë tetorit”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës.