Rinia e PDK-së: Paaftësia e Qeverisë po i detyron të rinjtë të largohen nga Kosova

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka mbajtur një aktivitet para Qeverisë së Kosovës, për të kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.

Përmes këtij aktiviteti simbolik, kryetari i Rinisë së PDK-së, Donjet Bislimi e ka cilësuar qeverisjen e Kurtit si ‘vit praktikantësh’.

“Qytetarët për 1 vit rresht kanë parë paaftësi të Albin Kurtit për të qeverisur. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria Kurti me paaftësinë e saj, ka krijuar një listë të gjatë të dështimeve dhe keqmenaxhimeve, duke shpërfaqur një paaftësi të madhe në qeverisje, e cila vjen ekskluzivisht nga mungesa e kompetencës, dijes, vizionit dhe vullnetit për punë”, ka thënë ai.

Bislimi tha se rinia e Kosovës që në fillim të vitit  të kaluar në masë të madhe i ka besuar Albin Kurtit, tani  sipas tij, është zhgënjyer sa që në fund të vitit 100 mijë prej tyre, siç tha Bislimi, kanë aplikuar për vizë për tu larguar nga Kosova.

“Për 1 vit qeverisje, diplomacia kosovare lëre që nuk ka ekzistuar, por ka shënuar regres aq të madh sa që ka përfunduar në skandale e paaftësi elementare me gabime të flamujve të shteteve e me gënjeshtra të deklaratave të zyrtarëve perëndimorë. Për 1 vit të kësaj qeverisje, qytetarët e Kosovës janë varfëruar më së shumti që nga paslufta. Shporta ushqimore e qytetarit të Kosovës është shtrenjtuar aq shumë sa qytetarët mezi po ia dalin ta mbyllin muajin.”, shtoi Bislimi.

Ai tha Qeveria për 1 vit ka arritur të krijojë disa qinda vende pune, sipas tij, vetëm për nipat, dajtë dhe familjarët e ministrave dhe deputetëve të Vetëvendosjes.

“Qeveria Kurti do të mbahet mend për rekordin e tenderave njëburimorë. Para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti premtoi banesa me çmime të përballueshme për çiftet e reja, por ky premtim u harrua tërësisht për 1 vit. Kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve, por ende nuk e ka nisur asnjë. Kjo është lista e shkurtë, sepse për t’i numëruar të gjitha, do të na duheshin shumë më shumë kohë. Këtu mbrapa meje, mund t’i shihni të ilustruara disa nga skandalet e Qeverisë Kurti”, deklaroi Bislmi.