Rinia e PDK-së me aksion tek MPJ, arrestohen dy aktivistë

Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku ka kërkuar dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla Schwarz, pas deklaratave të saj për luftën çlirimtare të UÇK-së.

Pas përfundimit të këtij aksioni, Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë të rinisë së PDK-së. Kjo parti po kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre.

Sipas një komunikate të PDK-së, aktivistët e Rinisë Demokratike kanë vendosur një kuti me mbishkrimin: “Këtu deponohen dosjet e gjenocidit serb në Kosovë”, ku kanë vendosur dosje të krimeve të bëra nga Serbia ndaj qytetarëve të pafajshëm të Kosovës, si dhe i kanë lënë një libër për gjenocidin serb në Kosovë me mesazhin “Për ju që keni harruar se kë përfaqësoni”.

“Sot ne prapë u detyruam që të ngritemi dhe të mbrojmë vlerën tonë më sublime kombëtare – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe po e mbrojmë nga dikush që nuk e kemi menduar se duhet ta mbrojmë, nga ministrja e jashtme e repubikës sonë, për të cilën sakrifikuan shumë dëshmorë dhe heronj dhe ende po sakrifikohen heronjtë tanë të gjallë në gjykime të padrejta”, citohet të ketë thënë kryetari i Rinisë Demokratike, Donjet Bislimi.

Tutje në komunikate thuhet se ai ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë me deponimin e dosjeve në kutinë e vendosur nga RDK, që t’ia rikujtojnë ministres Schwarz se kush ka qenë agresori dhe kush ka qenë viktima.

Ndërsa, deputetja e PDK-së Eliza Hoxha ka theksuar se ministrja Schwarz duhet ta kuptojë që nuk përfaqëson më opinionet e as dëshirat e saj për subjektet politike dhe për UÇK-në.

“Ajo përfaqëson shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe duhet ta kuptojë diplomacinë kosovare bazuar në historinë e shtetit të Kosovës. Ajo ka për detyrim që ta ushqejë narrativën e shtetit të Kosovës që shtetësia e Kosovës të marrë kuptimin e vërtetë të saj dhe jo të mbajtë agjendën e Serbisë. Nëse ajo flet për viktimat e Kosovës duhet ta kuptojë që edhe akterët e gjallë që e kanë bërë luftën çlirimtare të Kosovës janë po aq të rëndësishëm sa ata që kanë dhënë jetën e tyre për lirinë e Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Edhe Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar sot një aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës. Disa zyrtarë të kësaj partie kanë hedhur ngjyrë të kuqe dhe kanë vendosur mbishkrimin “gjakderdhje financiare”.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka konfirmuar për KALLXO.com se pas këtij aksioni janë arrestuar Frashër Krasniqi, Qëndrim Sahiti, Zgjim Hyseni, Agron Kabashi dhe Nol Nushi.