Rikujtimi i MPB-së: Nga 1 shtatori fillon organizimi i procesit për regjistrimin e automjeteve më RKS

Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar sërish rikujtimet me anë të postimeve se nga data 1 shtator do të fillojë organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato RKS.

Ky proces që pritet të fillojë nga 1 shtatori do të zgjas deri më 31 tetor pra për dy muaj rresht.

Regjistrimi do të bëhet në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

“Brenda këtij afati, qytetarët do të kenë mundësinë që të jenë përfitues të shumë lehtësirave për kthimin e mjeteve të tyre në targa RKS. Kjo është një mundësi shumë e mirë, që do të ndihmojë në vendosjen e ligjshmërisë dhe sundimin e ligjit, gjë që qytetarët e shtetit tonë e dëshirojnë pa dallim”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Kujtojmë se procesi i regjistrimit të automjeteve dhe mjeteve të tjera të identifikimit për të hyrë në Kosovë, ishte paraparë që të niste në fillim të këtij muaji por situata në veri të Kosovës u tensionua gjashtë orë para se të hynte vendimi në fuqi.

Pas tensioneve të krijuara për të kundërshtuar regjistrimin e targave dhe mjeteve të tjera të identifikimit për qytetarët serb, këta të fundit bllokuan rrugët në very të vendit ndërsa u lëshua edhe alarmi emergjent në katër komunat e veriut të Kosovës.

Pas këtyre veprimeve u mor një vendim për të shtyrë afatin e regjistrimit për një muaj. Për ngjarjet që ndodhën më 31 korrik mund të lexoni në linkun më poshtë.

Kronikë e një drame të përsëritur