Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
'Rikujtim miqësor' e quan ambasadori gjerman paralajmërimin për tubimet parazgjedhore në Gjermani
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se paralajmërimi i tij për rregulloren në Gjermani për fushatën zgjedhore ka qenë vetëm t’ia bëjë të ditur njerëzve që nuk e din, që në vendin e tij ekziston një rregullore që duhet të respektohet.
Rohde u përgjigj kështu në pyetjen e KALLXO.com, nëse ky paralajmërim po vjen për shkak të tubimeve të fundit që janë organizuar në Gjermani ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, dhe në anën tjetër tubimet nga kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
“Jo, Gjermania ka rregullore administrative që është në fuqi që disa vite, që vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian nuk e kanë të lejuar që të bëjnë fushatë disa muaj para zgjedhjeve”- tha ambasadori.
Megjithatë, Rohde këmbënguli se arsyeja e vetme e paralajmërimit ishte “vetëm për ta bërë me dije te publiku…”
“Unë kam thënë që nëse ka një ligj apo një rregullore në Gjermani, ajo duhet të respektohet. Disa njerëz thjeshtë nuk e dinë. Ne e kemi informuar Qeverinë dhe partitë politike, jo vetëm tash, por edhe më parë. Dhe kjo ka qenë vetëm një rikujtim miqësor”- theksoi Rohde.
Rohde më 18.11.2024, ka thënë të hënën se autoritetet gjermane zakonisht nuk japin leje që partitë politike të një shteti të zhvillojnë fushatë në tokën gjermane në periudhën më pak se tre muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve.
Përmes një postimi në X, Rohde kishte thënë se e ka informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe partitë politike për këtë rregullore specifike.
Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla kanë nisur një tur të tubimeve në diasporë, të organizuara nga ambasadat e Kosovës dhe jo vetëm. Në anën tjetër, Hamza kishte organizuar tubim elektoral në Shtutgart.
Qasja e qeveritarëve u kritikua shkaku i shfrytëzimit të resurseve shtetërore për fushatë parazgjedhore, anipse arsyetimi i zyrtarëve të lartë të shtetit është se takimet me mërgimtarë nuk janë të tilla, por janë takime të zakonshme “për të mbajtur lidhjet me diasporën”.
Kurti e Gërvalla tubimet i nisën në fillim të tetorit në katër qytete të mëdha të Gjermanisë, pastaj vazhduan në Paris, në Vjenë e në Oslo, për t’u rikthyer sërish në Gjermani, kësaj radhe në Frankfurt.
Në këto tubime, tri prej tyre të organizuara nga ambasadat (në Vjenë, Frankfurt e Oslo), kryeministri dhe zëvendësja e tij ndër të tjera folën për atë që kanë bërë gjatë katër viteve mandat, duke i kritikuar pushtetet e kaluara dhe duke mos i lënë anash çështjet tjera, si: votimi i diasporës, regjistrimi dhe mësimi i gjuhës shqipe.
Për këto organizime, ministrja Gërvalla, iu përgjigj KALLXO.com-it, duke thënë se nuk janë tubime parazgjedhore, pasiqë sipas saj “ato (parazgjedhoret) kanë ritëm tjetër”.
Sipas saj, takime të tilla janë organizuar edhe në vitin 2021.
“Ka raste kur takimet organizohen nga shoqatat. Ka raste sikurse takimi me mërgimtarë në Vjenë kur organizohen nga misionet tona diplomatike. Prandaj, është një përzierje varësisht se nga kush vjen iniciativa, si vjen dhe është një lidhje e cila është kaq e fortë sa që Kosovën e bën unike në rajonin tonë por edhe në Europë”- tha Gërvalla për KALLXO.com.
Takimet e mbajtura në Gjermani kishin nxitur debat publik për faktin që kishte mungesë të simboleve shtetërore, porse komunikatat për media ishin dërguar përmes Zyrës së Kryeministrit. Mu për këtë çështje, KALLXO.com kishte publikuar një analizë, në të cilën kritikohej kjo qasje e institucionit qendror, Qeverisë, për shfrytëzim të kanaleve shtetërore për promovim të tubimeve partiake.
Në Kosovë ende nuk ka filluar fushata parazgjedhore, por kjo nuk do të thotë që subjektet politike nuk shfrytëzojnë këto kohë pa kufizime ligjore për të siguruar elektoratin.
Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët e tyre, fillon me datën 11.01.2025 dhe përfundon me datën 09.02.2025, në orën 06:59 (para hapjes së qendrave të votimit).
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, aktiviteti i fushatës politike do të thotë çfarëdo tubimi ose fjalimi politik, mbledhje, prezantim publik, ose ndonjë aktivitet i përgatitur për të propaganduar mesazh politik në lidhje me zgjedhjet.
Ndër të tjera, në këtë Ligj thuhet se të gjitha subjektet politike janë të lira të bëjnë fushatë dhe të bëjnë propagandë zgjedhore në media, përmes organizimit të ngjarjeve politike dhe botimit e shpërndarjes së materialeve për fushatë në çfarëdo mënyre ligjore në përputhje me rregullat dhe legjislacionin në fuqi.