Rikthimi i virusit, së paku 15 qytetarë të Kosovës u riinfektuan me COVID-19

Disa pacientë kosovarë të cilët janë infektuar me COVID-19 që nga paraqitja e rastit të parë dhjetë muaj më herët janë infektuar sërish.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Kosovës janë së paku 15 qytetarë që janë ballafaquar me infeksionin të cilin tashmë e kishin kaluar.

Infektologu, Salih Ahmeti, konfirmon se mbi 15 persona në nivel vendi janë riinfektuar me SARS-CoV-2 dhe se gjendja e tyre është stabile.

“Janë mbi 15 raste që unë i kam pasë me kolegë në Klinikën Infektive. Nuk kanë qenë të gjithë të shtrirë por që kanë dalë të riinfektuar me COVID-19. Një prej tyre ka qenë në gjendje të rëndë dhe është trajtu, ka kalu mirë, të tjerët kanë pasur forma të lehta ose mesatare të sëmundjes”, konfirmoi për KALLXO.com infektologu.

Riinfektimit nuk i kanë shpëtuar as mantelbardhët.

“Na kanë raportuar për katër raste, dy prej të cilëve janë në trajtim në shtëpi ndërsa dy të tjerë në spital. Gjendja e tyre është stabile”, thotë Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Kujtojmë se në Kosovë deri më tani janë infektuar mbi 60 mijë persona, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur si pasojë e infeksionit.