Ilir Meta, FOTO:ZKM

Rikthimi i Metës, LSI ndërron emër, shuhen strukturat drejtuese

Në Shqipëri, ish presidenti Ilir Meta nuk priti as 24 orë nga përfundimi i mandatit të tij si kreu i Shtetit, për t’ju rikthyer jetës aktive politike në krye të asaj force politike që themeloi në shtator të vitit 2014, por që nga mbrëmja e hënës, nuk do të quhet më LSI (Lëvizja socialiste për integrim) por partia e Lirisë. Ndërsa paradite shkoi të rimerrte kartën e tij të anëtarësisë, duke deklaruar se nuk ishte aty për të marrë drejtimin e LSI-së, në mbrëmje, ishte ai që njoftoi emrin e ri, duke folur në Konventën e partisë. Një konventë e cila miratoi dy ndryshime në statut që i hapën rrugën pikërisht, ndërrimit të emrit, që e identifikonte qartësisht me të majtën, dhe shuarjes së strukturave drejtuese të LSI-së. Një komitet organizator që do të drejtohet nga zoti Meta, do të jetë përgjegjës për veprimtarinë e partisë, deri në thirrjen e Konventës së saj kombëtare.

Ish presidenti u prit me borohoritje dhe me tufa lulesh kur mori fjalën. Një fjalim i mbushur me tone nacionaliste, në mbrojtje të “një atdheu në rrezik” dhe të interesave të Kosovës që sipas tij ish kryeministri Edi Rama ishte përpjekur t’i shiste. “Kam parë një rrezik të jashtëzakonshëm për sovranitetin e këtij vendi, për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, fituar me aq mund, gjak e sakrifica, kam parë një plan të përllogaritur për të ekzekutuar pluralizimin politik në Shqipëri dhe për të patur një fasadë demokraci”, u shpreh zoti Meta.

Ish presidenti foli për “një bandë e cila në 5 vite realizoi një grusht shteti me procedura”, pa harruar të akuzojë po ashtu ish drejtuesin demokrat Lulzim Basha, se kishte vepruar në sinkron me kryeministrin Rama. “Sot me gjithë shqiptarët e ndershëm të shpallim non grata kleptokracinë, rilindjen mavi dhe atë pjesë të rilindjes blu të pazareve të 17 majit”. Përmendja e termit “non grata” nuk duket rastësor, përsa kohë ky term ka marrë së fundmi një përdorim të shpeshtë, pas rastit të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili duket se do të jetë aleati i tij politik, në betejën që ka ndërmarrë.

Ish presidenti përmendi sërish atë që e quan “mafie ndërkombëtare” që vepron kundër interesave të Shqipërisë. “Nuk jam këtu për asgjë tjetër veçse për t’u kërkuar që t’u tregojmë të gjithëve atyre shqipfolësve gjakprishur që nuk kanë lidhje me ne, por dhe gjithë botës, se ne jemi një popull me dinjitet, popull europian, që padrejtësisht kjo mafie për interesa të saj por dhe të asaj mafies ndërkombëtare që e kërkon Shqipërinë si një vend për pastrimin e parave dhe si një qendër e bazë logjistike për krimin e organizuar, t’i themi që ky është vendi ynë, me të cilin askush nuk mund të luajë”, u shpreh ai.

Sipas zotit Meta zgjidhja do të ishte vënia në jetë e mekanizmit të referendumit, që sipas tij “do të jetë shpata e Demokleut mbi të gjithë uzurpatorët e pushtetit, oligarkët e pangopur, garancia se sovraniteti nuk i përket popullit vetëm në letër, dhe se ata që prekin kushtetutën dhe sovranitetin do të kenë fatin e zi”, deklaroi ish presidenti./VOA