Festivali i Kafes dhe Çajit | Foto: Kallxo.com

Rikthehet pas dy vitesh 'Festivali i Kafes dhe Çajit' në Prishtinë

Vjeshta i solli sheshit të Prishtinës ngrohtësinë e Festivalit të Kafes dhe Çajit, stinës, në të cilën njerëzit i përdorin këto produkte ndoshta më shumë se pjesëve të tjera të vitit.

Njerëzit që frekuentojnë hapësirat në shtëpizat e kafes e çajit thonë se kjo është ndihmë për t’i njohur produktet nga vende të huaja, kështu po i fillojnë impaktet e para me kulturën e përgatitjes së llojeve aq sa të larmishme edhe produktive.

Relacioni kryesor i autorëve të produkteve por edhe qytetarëve është këmbimi i ideve me njëri-tjetrin, e cila sipas tyre po shtrinë ndikimin në pasurimin e tregut kosovar me brende të reja që kanë munguar më herët.

Pronarët pjesëmarrës pohojnë që edicioni i gjashtë i festivalit u rikthye më fuqishëm pas dy vite pauzë nga pandemia, bashkëpunimet me bizneset e huaja në prodhimin e llojeve të reja të çajit e kafes iu ka dhënë mundësi që të zgjerohen dhe rrisin kapacitetin e produktivitetit.

Ndikimi pozitiv i çajrave organik në shëndetin e njeriut ishte një shtysë tjetër, që qytetarë të shumtë ndaleshin e merrnin informata për të blerë lloje të reja.

Për pronarin që prodhon çajra organik, Durim Gashin, ka rëndësi që qytetarët të bëjnë dallimin e produkteve të mira për shëndetin.

“Realisht ne jemi në festivalin e parë, është hera e parë që kemi marrë pjesë në këtë festival njëherë për njëherë është mirë, po ka interesim të qytetarëve sepse qytetarët tash kanë nisur të vetëdijesohen, po duan të shohin çka është e mira dhe e keqja” – tha Gashi.

Qytetari Sokol Veseli tregon që manifestime të tilla kanë rëndësi për vendin.

“Këto manifestime janë shumë me rëndësi edhe për qytetarët edhe për pjesën e qytetit, shumë më vend janë këto me ndejt me kalu kohën, me përjetu një ndejë të bukur, një pije të mirë” – thekson ai.

Festivali i Kafes dhe Çajit | Foto: Kallxo.com

Faton Haxhimusa, pronar i biznesit për kafe, tregon që ky produkt po vazhdon të jetë i preferuar dhe i kërkuar për qytetarët.

“Sot kemi ardhur në prezantimin e  kafes, jemi të kënaqur me këtë organizim që është bë pas pandemisë sepse që dy vite kemi pritur, por nuk kemi mundur me prezantu kafen tonë, tash po shohim që njerëzit janë të kënaqur, po afrohen e interesohen, është një disponim i mirë, atmosfera është e mirë, po shpresojmë që këto tre ditë, sot është dita e parë këto tre ditë do të kalojmë shumë mirë, jemi duke i prit qytetarët me provu secili, besoj që e vazhdojmë këtë kulturë, traditë çdo vjet” – thotë Haxhimusa.

Besim Krasniqi që merret me prodhimin e kafes thotë që ky është promovim i mirë për brendet që prodhojnë.

“Është një promovim i mirë i kafes dhe i çajit në Prishtinë, besoj që ka me pasë shikueshmëri të mirë këtu, sipas informatave që i kemi ka me qenë me DJ, ma merr mendja që ka me qenë diçka mirë edhe kafen e kemi free (pa pagesë)” – tregon ai.

Naim Hajdini, një tjetër qytetar shprehet i kënaqur me produktet, e sidomos kafja italiane.

“Sot dola rastësisht në shesh e pash panairin e kafes e çajit. U ndala e piva një kafe prodhim italian shumë i mirë ky panair po zgjatë tre ditë, mundësisht kam me dalë tre ditë këtu” – thekson Hajdini.

Andrian Boqaj i cili prodhon një lloje të huaj të kafes bën të ditur që kjo është koha e duhur për këtë festival.

“Prej pandemisë nuk ka pas festival, ndoshta që dy vite nuk ka pas festival, edhe neve na ka rënë në kohë të duhur me qenë pjesë e festivalit” – tha ai.

Edona Gashi që përfaqëson një biznes të çajit, thotë që interesimi i njerëzve është rritur këtë vit më shumë për llojet e çajit.

“Po shohim fluks të njerëzve, po na pëlqen që njerëzve po iu intereson me ditë më shumë për çajin, po na pëlqen që njerëzit po na bashkohen me pi çaj bashkë me neve, ne i ftojmë krejt ata që po na shohin me ardhë tre ditë rend me pi çaj bashkë me neve” – tha ajo.

Për herë të gjashtë festivali do të ketë perfomanca të ndryshme muzikore që do të zgjasë deri me 13 tetor.