Rikthehet e-Albania, ndërsa Rama pohon se pas sulmit kibernetik qëndron një shtet i huaj

Pas paralizimit 3-ditor të shërbimeve online për shkak të një sulmi kibernetik, kryeministri Edi Rama hapi një front të ri lufte kundër raportimit të Top Channel, ndërsa pranoi se pas sulmit qëndronte një shtet i huaj.

Kryeministri Edi Rama iu hakërrye televizionit Top Channel në Twitter të mërkurën, pasi ky i fundit pretendoi se disponon informacion ekskluziv që sugjeron se Irani është shteti pas “sulmit” kibernetik dhe se sulmuesit kanë kërkuar 30 milionë dollarë në shkëmbim të rikthimit të aksesit te të dhënat. Rama i shpalli këto informacione “krejt të rreme” dhe “shpifje që përhapin panik”, por pranoi se pas sulmit gjendej “një shtet tjetër”.

Në një njoftim të mëvonshëm, Kryeministria njoftoi se portali unik qeveritar e-Albania ishte rikthyer në funksion për 1118 shërbime nga 1225 gjithsej. Sipas njoftimit, AKSHI po punonte së bashku me Microsoft DART dhe “Jones Group International” për të rikthyer të gjitha shërbimet në funksion.

Shqiptarët u përballën me një situatë të pazakontë nga fillimi i kësaj jave, kur shërbimet online dhe faqet qeveritare të administruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dolën jashtë funksionit për shkak të një sulmi kibernetik.

Shërbime kyçe, si recetat që mjekët lëshojnë kryesisht për të moshuarit për ilaçe të rimbursueshme, regjistrimi i nxënësve nëpër shkolla apo regjistrimet e biznesit dhe bilanceve dolën jashtë loje.

Disa shërbime që janë jashtë serverëve të AKSHI-t, si deklarimet e taksave dhe tatimeve, apo shërbimet e Bankës së Shqipërisë, vijojnë të funksionojnë normalisht, ndërsa qeveria shpalli si sukses rikthimin në punë të disa faqeve të internetit të institucioneve kryesore. Vetë faqja e Këshillit të Ministrave, kryeministria.al u rikthye në punë në kohën e publikimit të këtij shkrimi.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se rënia e AKSHI-t ka ardhur si pasojë e një sulmi nga një shtet armiqësor, por pa thënë se cili është ky shtet armiqësor dhe për çfarë motivesh është kryer ky sulm.

Reputacioni i AKSHI-t është goditur herë pas here si institucion që operon me tendera sekretë apo që nuk garanton sigurinë e të dhënave, ndërkohë që bllokimi i shërbimeve për tre ditë me radhë është i paprecedent në vend.

Sipas Ramës, AKSHI dhe një skuadër ekspertësh të huaj ‘po luftojnë natë e ditë” për rimëkëmbjen e plotë dhe në kohë rekord të sistemeve, pas zbrapsjes së sulmit.

Shërbimet online të rikthyera

Dokumentet me vulë elektronike – certifikatat e gjendjes civile, vërtetimet tatimore, ekstraktet dhe certifikata e regjistrimit të biznesit, vërtetimet e papunësisë, certifikata e gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit)

Do të mund të aplikohet për:
Regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të nxënësve
Shërbimet e regjistrimit të biznesit, etj.

Shërbime ende jashtë funksionit

Shërbimet e regjistrimeve dhe të ndryshimeve të pronarëve përfitues;
Vërtetimin e ndihmës ekononomike, pagesës së paaftësisë së kufizuar dhe kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social;
Për shërbimet e rezervimit të takimit për kryerje konsulte e ekzaminimi mjekesor;
Për listën e notave dhe vertetimin e diplomës për studentet që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës;

Për shërbimet konsullore, për shqiptarët jashtë vendit;
Shërbimet e certifikatave të regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale;
Njehsimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja;
Si dhe për kryerjen e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.