(Arkiv) Bora në Prishtinë - Foto: Atdhe Mulla

Rikthehet bora në Kosovë, priten edhe erëra të forta

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e fundit e muajit shkurt do të karakterizohet me mot relativisht të butë, me diell dhe vranësira të cilat nga pasditja e së mërkurës dhe ditën e enjte parashihen të shoqërohen me reshje shiu dhe bore.

IHMK-ja tutje bën të ditur se të mërkurën, natën vonë dhe të enjten, pos reshjeve parashihet të ketë edhe erëra të fuqishme të cilat si zakonisht më të theksuara do të jenë në veri të Dukagjinit.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 5-14 gradë Celsius. Këto temperatura negative do të krijojnë ngrica të dobëta në orët e para të ditës dhe kërkohet kujdes nga pjesëmarrësit në trafik, sidomos në viset kodrinore- malore, ku prezenca e diellit është më e kufizuar. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit dhe veriperëndimit e lehtë deri e fuqishme”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik.

Situata biometeorologjike do të jetë relativisht e mirë, për shkak të prezencës së këtyre elementeve dhe dukurive meteorologjike gjatë kësaj periudhe pesëditëshe të parashikimit.

Sipas njoftimit të IHMK-së në bazë të parashikimeve afatgjate, muaji mars premton reshje të bollshme atmosferike./21Media