Protestat në Paris, foto nga arkivi.

Rikthehen protestat e “Xhaketave të Verdha” në Paris

Autoritetet franceze kanë shtuar prezencën e policisë në Paris dhe kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të lëvizjes së ashtuquajtur “Xhaketat e Verdha”.

Protestat në Francë të kësaj lëvizjeje vijnë në kohën kur shteti po përballet me krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

Qindra protestues u mblodhën në dy sheshe në Paris, protesta këto të autorizuara. Në njërën prej marsheve, nuk u raportua për asnjë incident, por në marshin tjetër, policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Protestuesit dogjën disa shporta mbeturinash dhe një veturë.

Autoritetet franceze kanë ndaluar mbajtën e protestave në zonën qendrore të Parisit, përfshirë edhe në Champs-Elysees, ku në të kaluarën protestuesit, për pothuajse dy vjet rresht kanë mbajtur protesta për shkak të shtrenjtimit të taksave për karburantin dhe stilin e udhëheqjes së presidentit Emmanuel Macron.

Policia tha se deri në orën 13:00 ka arrestuar 154 persona.

Protestat e sotme në Paris mbahen kur në Francë, të enjten u shënua rekordi prej pothuajse 10,000 rasteve me koronavirus, teksa numri i të hospitalizuarve nga COVID-19 – sëmundja që e shkakton koronavirusi – është rritur gjatë këtij muaji./REL