Bëhet rikonstruksioni për një vrasje të 2021 në Mitrovicë, Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

Rikonstruktimi i vendit të ngjarjes ku u vra një person, analizohen pozicionet e palëve të përfshira

Pas një mosmarrëveshjeje dhe kacafytjes më 12.02.2021, në rrugën “Bislim Bajgora”, në Mitrovicë të Jugut, mbeti i vrarë Mehmet Kurtishi dhe të plagosur mbetën F.S dhe B.H.

Të enjten, më 21.11.2024, Gjykata e Mitrovicës rreth orës 11:20 ka bërë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes.

Zëdhënësja e Gjykatës së Mitrovicës, Hateme Haxhaj, për KALLXO.com tha se sot është bërë rikonstruktimi i vrasjes së vitit 2021 të ndodhur në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë të Jugut.

“Rikonstruktimi i vendit të ngjarjes është bërë sot me datën 21.11.2024, me fillim në ora 11:20, lidhur me lëndën penale me numër PKR.Nr.229/2021, ndaj të pandehurëve L.S., për shkak të veprave penale: -I- Vrasje e rëndë, nga neni 173, par.1, pika 1.5, të KPRK-së dhe –II-  Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”- deklaroi për KALLXO.om Hateme Haxhaj.

“Rikonstruktimi i vendit të ngjarjes se kur ka ndodhur vrasja ishte bërë sipas rekomandimeve që kishte dhënë Gjykata e Apelit e Kosovës” – ka thënë Hateme Haxhaj.

Rikonstruktimi i vendit të ngjarjes është bërë me rekomandim të Gjykatës së Apelit në Kosovë.

“Rikonstruktimi i vendit të ngjarjes është bërë sipas rekomandimeve që kanë dhënë Gjykata e Apelit e Kosovës në Aktvendimin me numër PAKR.nr.670/2023, të datës 19.01.2024, me anë të cilit aktvendim kjo lëndë është kthyer në rivendosje”- tha Hateme Haxhaj.

Arsyeja e rikonstruktimit sipas zëdhënëses së Gjykatës së Mitrovicës ishte vetëm ndriçimi i fakteve.

“Qëllimi i rikonstruktimit është ndriçimi i fakteve të çështjes përkatësisht pozicionet e të pandehurve, të dëmtuarve dhe dëshmitarëve në natën kritike”- potencoi Haxhaj.

Ndërsa avokati Asdren Bytyqi, në një prononcim për KALLXO.com tregoi arsyen e rikonstruktimit të vendit të ngjarjes.

“Sot në këtë vend në Mitrovicë është mbajtur rikonstruktimi te vendi i ngjarjes për një rast për dy plagosje dhe një vrasje e cila ka ndodhur në mbrëmjen e 19 shkurtit të vitit 2021”- ka thënë Bytyqi.

Sipas avokatit, nga ky rikonstruktim shpjegohen pikëpamjet e ngjarjes së ndodhur.

“Palët e dëmtuara, gjykata sot së bashku me gjithë dëshmitarët dhe të pandehurit kanë ardhur këtu, ku në këtë rikonstruim secila palë përkatësisht dëshmitarët, të pandehurit, shpjegojnë pozicionet e tyre, pikëpamjet e tyre rreth ngjarjes se çka kanë pa edhe kush ka gjuajtur dhe çka ka ndodhur, nga kanë ardhur plumbat” – është shprehur avokati Asdren Bytyqi.

Nga kjo ngjarje i vdekur ka mbetur Mehmet Kurtishi dhe të plagosur kanë mbetur Florim Sadiku dhe Behar Halili, dhe për këtë vrasje dhe plagosje akuzohen dy të pandehurit Leutrim Selimi dhe Bejt Hasani.

KALLXO.com ka raportuar në kohë reale nga vendi ku është bërë rikonstruksioni i vendit të ngjarjes më 21.11.2024.

https://www.facebook.com/watch/?v=912370270986362&rdid=XBFGprs84CREzxPB

KALLXO.com kishte raportuar më 12.02.2021, për të shtëna me armë në Mitrovicë ku mbeti një i vrarë dhe dy të plagosur.

Ndërsa më 25.02.2021, KALLXO.com kishte raportuar për vendimin e Gjykatës së Mitrovicës.