Minibiblioteka "Musine Kokalari"; Fotografi: ETEA

Rijetësohen tri minibiblioteka në sheshet e Prishtinës

Tri minibiblioteka në sheshet e Prishtinës janë duke u rifunksionalizuar.

Minibiblioteka në sheshin “Ibrahim Rugova” tani mban portretin dhe emrin e shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.

Portretin dhe emrin e Ali Podrimës e mban minibiblioteka në sheshin “Adem Jashari”.

Ndërsa, Simone de Beauvoir dhe Jean Paul Sartre janë portretizuar në minibibliotekën e vendosur në parkun “Heroinat”.

Këto minibiblioteka do të mbajnë emrat e shkrimtarëve të cilët janë portretizuar në objektin e tyre.

ETEA kishte njoftuar për KALLXO.com se portretet në minibiblioteka do i bëjnë artistët e “MuralFest.”

Organizata ETEA përmes një njoftimi se së shpejti do t’i rimbushin ato me libra.

“Minibibliotekat do t’i rikthehen lexuesve, përderisa nuk përjashtojnë rrezikun se të njëjtat prapë do të jenë cak i vandalëve, me ç ‘rast bëhet thirrje ndaj organeve gjegjëse që të jenë më të kujdesshme në raport me pronën dhe të mirën e përbashkët qytetare” ka shkruar ETEA.

Minibiblioteka “Musine Kokalari”; Fotografi: ETEA

Agon Ahmeti, drejtori i ETEA-s para disa ditësh kishte thënë për KALLXO.com se janë tri alternativa për mini-bibliotekat tjera në kryeqytet edhe pse ende nuk ka diçka konkrete.

Sipas tij këto alternativa janë: të bëhet rifunksionalizimi me grafite duke përfshirë edhe zhvendosjen eventuale në pika me të sigurta;  të bëhet largimi i përkohshëm nga komuna dhe rivendosja pas renovimit e planifikimit më të sigurtë dhe shpërndarja e disa prej tyre në qytete tjera të Kosovës në partneritet me organizata lokale.

Minibibliotekat janë mundësuar nga bashkëpunimi mes organizatës ETEA, Kuvendit Rinor të Prishtinës, Librarisë Dukagjini, Forumit për Iniciativa Qytetare, Komunë së Prishtinës, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe së fundmi këtij partneriteti i është bashkuar edhe Mural Fest.

Aritistët e “MuralFest” duke portretizuar shkrimtaren “Musine Kokalari”; Fotografi: ETEA

Me 5 nëntor 2019 ishte hapur mini-biblioteka e parë në lagjen “Dardania” e cila për një kohë të shkurtër u shkatërrua.

Të gjitha mini-bibliotekat në lagjet e Prishtinës u vandalizuan, u vodhën e shkatërruan në forma të ndryshme dhe asnjëra prej tyre aktualisht nuk është funksionale.