Rigjykimi për vrasjen e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu prek fundin, ja kur shpallet vendimi
Rigjykimi i të akuzuarve për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, ka prekur fundin sot, më 29.07.2024, me ç’rast palët kanë dorëzuar në Gjykatë fjalët përfundimtare në seancën që është mbajtur e mbyllur për publikun.
Avokati Tomë Gashi, i cili po përfaqëson familjen e të ndjerit, menjëherë pas seancës konfirmoi se aktgjykimi për këtë rast do të shpallet më 31.07.2024.
Ky rast po rigjykohet prej kur Gjykata e Apelit kishte marrë vendim më 17.07.2024 me të cilin aktgjykimin dënues prej 19 vite dënim me burgim ndaj dy të miturve e kishte anuluar, duke e kthyer rastin në rigjykim dhe rivendosje.
E axha i të ndjerit ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore në rast se lidhur me rastin nuk nxirret një vendim meritor.
“Nëse nuk e marrin vendimin e merituar unë jam qaj axha i Lulit, unë që kam me e marrë gjithë popullatën shqiptare kudo qoftë që e kanë pa me sy për me protestu para gjykate. Megjithëse unë besoj, po të këqyrim qysh po reagojnë” – ka deklaruar pas seancës Rrahim Fejzullahu.
Më tutje, Rrahim Fejzullahu ka thënë se këtë çështje ia ka lënë në dorë Gjykatës.
“Unë vetëm kërkoj drejtësi maksimale për nipin tim. Gjykata i ka punët e veta, avokatin e kam pranë. Veç drejtësi kërkoj, asgjë ma tepër. Me kohë ia kam lënë në dorë gjykatës këtë rast, kështu që mos me pasë pasë besim nuk isha ardhë këtu hiç” – ka shtuar ndër të tjera ai.
Avokati Tomë Gashi tha se Gjykata e Prishtinës do të mund ta kishte shmangur një epilog të tillë me humbje jete e burgim në rast se do të kishte shpallur vendim të drejtë për një nga të miturit në gjykimet për rastet e kaluara.
“Po qe se Gjykata [e Prishtinës] do të shpallte gjykim të ligjshëm dhe të drejtë për veprat penale për të cilat i mituri është shpallur përgjegjës në gjykimet e kaluara, para 2 apo 3 vitesh, ai nuk do të ishte sot në burg dhe Luli do të ishte gjallë” – u deklarua avokati që përfaqëson familjen Fejzullahu.
Avokati më tutje tha se duhet të merren parasysh rastet e kaluara e njërit prej të miturve.
“Duhet të kemi parasysh që së paku një prej të miturve ka pasur një mori veprash penale, duke përfshirë edhe vrasjen në tenativë… Gjykata duhet ta ketë parasysh se Lulzimi është vrarë në moshën 18-vjeçare dhe të gjitha rrethanat tregojnë që ka qenë vrasje e randë” – ka deklaruar avokati Tomë Gashi.
Avokati tha se në seancë kanë përkrahur fjalën përfundimtare të prokurorit të rastit.
“Ne kemi përkrahur fjalën përfundimtare të prokurorit të shtetit dhe besoj që gjithçka që ka elaboruar prokurori ka qenë në përputhje me provat. E që provat kryesore kanë qenë incizimet e që së paku një pjesë e tyre janë bërë publike. Incizimet nuk kanë rrjedhur nga sallat e gjykimit… Por ato incizime kanë dalë shumë më herët” – ka thënë më tej Tomë Gashi.
Kurse avokatët që përfaqësojnë të miturit e ngarkuar nga Prokuroria lidhur me vrasjen e Lulzim Fejzullahut, Skender Musa dhe Florent Latifaj nuk u deklaruan lidhur me rastin në fjalë.
Gjykata në Prishtinë kishte dënuar me 19 vjet dënim me burgim dy të akuzuarit e këtij rasti për vrasje të rëndë.
Njëri i mitur ishte dënuar me 10 vjet dënim me burgim, kurse i mituri i dytë me 9 vjet dënim me burgim.
18-vjeçari Lulzim Fejzullahu vdiq më 20.01.2024, gjashtë ditë pas plagëve që mori nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta nga të akuzuarit në Podujevë.
Rasti ishte iniciuar si vrasje në tentativë, e më pas shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka, kishte treguar për KALLXO.com se te viktima nuk u evidentua se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale ndaj me mjete të forta (shkop druri).
Për rastin në fjalë Inspektorati Policor i Kosovës kishte treguar se kanë filluar hetimet për të zbardhur trajtimin e rastit të të riut.
Në një video-incizim, që është publikuar në rrjete sociale, është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë e më pas dy personat që ishin në veturë dalin dhe e godasin me mjete të forta.
Për këto pamje të publikuara kishte reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, i cili ka kërkuar që mediat të largojnë pamjet pasi, sipas tyre, të njëjtat nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik dhe profesional.
Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14.01.2024 në Podujevë.
Sipas raportit policor të datës 15.01.2024, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë”.
Gjashtë ditë më vonë, më 20.01.2024, Lulzim Fejzullahu vdiq në QKUK.