ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Rigjykimi ndaj Gani Gecit pritet të fillojë sot

Sot në Gjykatën e Mitrovicës pritet të rifillojë gjykimi ndaj Gani Gecit.

Geci nga Prokuroria akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit Ruzhdi Shaqirit, më 4 gusht 2014 në Skenderaj.

Gjykimi në shkallë të parë ndaj Gecit kishte përfunduar me 3 qershor 2016, me shpalljen e aktgjykimit ndaj tij, ku ai ishte dënuar me 4 vjet burg.

Përveç për vrasje Geci akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës.

Për armëmbajtje pa leje nga Gjykata Geci ishte dënuar me 10 muaj burgim. Ndërsa për veprën penale përdorim i armës gjykata e kishte liruar Gecin nga akuza, duke u arsyetuar se kjo vepër është konsumuar në dënimin për vrasje.

Sipas vendimit të atëhershëm të gjykatës Gecit në dënim unik do t’i llogariteshin katër vjet e gjysmë burgim.

Mirëpo ky vendim i gjykatës nuk ishte zbatuar asnjëherë për shkak se nuk kishte arritur të marrë formën e prerë, pas ankesave të cilat i kishin bërë në Gjykatën e Apelit prokurori i EULEX-it dhe mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ndrecë Dodaj, ankesa këto të cilat ishin marrë për bazë nga Gjykata e Apelit.

Kurse me aktvendimin e 26 shtatorit 2017, sa i përket pikës një (vrasje) dhe pikës dy (armëmbajtje pa leje) rasti është kthyer në rigjykim.

Ndërsa sot në Gjykatën e Mitrovicës pritet të mbahet seanca e parë e rigjykimi në këtë rast prej kohës kur është kthyer në rigjykim.

Caktohet seanca ndaj Gani Gecit për vrasjen në Skenderaj