Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Bedri dhe Albian Nika. FOTO: Krenare Ferati - KALLXO.com - 13.06.2024
Rigjykimi ish-kryetarit të LDK-së në Drenas dhe nipit të tij për shpëlarje parash, Bedri dhe Albian Nika nuk e pranojnë fajësinë
Bedri Nika, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Drenas dhe Albian Nika, të akuzuar për pastrim të parave, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës më 23.10.2024.
Edhe në rigjykim të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë.
Rasti tashmë ndodhet në rigjykim pasi shkalla e parë Bedri Nikën për pastrim të parave e kishte dënuar me 1 vit dënim me burgim dhe 15 mijë euro dënim me gjobë ndërsa Albian Nikën e kishte dënuar për të njëjtën vepër me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Rastin në pikën zero e kishte kthyer Gjykata Supreme.
Në rigjykim pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, Bedri Nika dhe Albian Nika thanë se nuk ndihen fajtorë për veprat që u vihen në barrë.
Pas deklarimit të të akuzuarve, trupi gjykues me pajtimin e palëve në procedurë i konsideroi si të lexuara deklaratat e dëshmitarëve dhe i konsideroi si të lexuara provat materiale.
Tutje gjykimi vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit që shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje, duke proceduar rastin në fjalën përfundimtare.
Në fjalën përfundimtare, prokurori special, Milot Krasniqi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e mëhershëm, duke shtuar se për veprën penale – blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale për të akuzuarin Bedri Nika tërhiqet nga akuza pasi veprimet e kësaj vepre konsumohen në veprën penale të shpëlarjes së parave për të cilën ngarkohet nga Prokuroria.
Avokati Granit Hadërgjonaj, që mbron Bedri Nikën, në fjalën përfundimtare kërkoi aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij, duke shtuar se aktakuza nuk i përmbush elementet bazë.
Ndërsa avokati Përpaim Haliti, që mbron të akuzuarin Albian Nika, tha se nuk ka prova që i mbrojturi i tij të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke kërkuar nga trupi gjykues që të shpallë aktgjykim lirues.
Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, shpalli gjykimin të përfunduar, duke caktuar datën 28.10.2024 për shpallje të aktgjykimit.
Gjykata e Prishtinës kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar të akuzuarin Bedri Nika me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë për veprën penale – pastrim i parasë, ndërsa e kishte liruar për veprën penale – blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale.
Kurse të akuzuarin Albian Nika për veprën penale – pastrim i parasë e kishte dënuar më 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Këtë vendim të Themelores e kishte vërtetuar edhe Apeli, por jo edhe Gjykata Supreme, e cila e kishte kthyer rastin në rigjykim pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të akuzuarve Bedri Nika dhe Albian Nika.
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Bedri Nika në intervalin kohor 21 shkurt 2021 e deri më 11 mars 2021, në vend të panjohur, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, fillimisht ka siguruar para të gatshme dhe atë 118 bankënota në vlerë 50 euro, nga një burim i panjohur.
Në aktakuzë thuhet se më pas të njëjtat para janë prekur nga një reagjent kimik dhe ia ka dhënë të bashkëpandehurit Albian Nika dhe vajzës së tij, me udhëzimin dhe kërkesën për t’i deponuar në disa raste të ndara në llogarinë e tyre bankare në bankën NLB në Drenas.
Në aktakuzë thuhet se këto bankënota janë vënë në qarkullim si para standarde, duke qenë në dijeni se të njëjtat janë përfituar nga aktivitete kriminale.
Ndërsa në pikën dy të dispozitivit të aktakuzës, Bedri Nika dhe Albian Nika po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – pastrim i parave.
Sipas aktakuzës, në datat e lartcekura, Bedri Nika ia jep nipit të tij Albian Nikës dhe vajzës së tij udhëzimin dhe kërkesën që të njëjtat përmes llogarive të tyre bankare në bankën NLB t’i deponojnë përmes bankomateve (ATM) e më pas duke shfrytëzuar bankomatët e tjerë të të njëjtës bankë t’i tërheqë në para të gatshme.
Pas këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë, i pandehuri Albian Nika, menjëherë i ka tërhequr paratë nga bankomatet tërheqëse në shumën e njëjtë dhe të njëjtat ia ka dorëzuar të pandehurit Bedri Nika.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i njëjti ka provuar që ta mashtrojë bankën dhe të maskojë origjinën e vërtetë të parave, duke i shkaktuar dëm bankës NLB në Drenas, me vlerën e parave të deponuara dhe tërhequra.