Rigjykimi i nxjerr të pafajshëm ish-zyrtarët e Doganës

Gjykata e Prishtinës i ka shpallur të pafajshëm dy ish-zyrtarët e Doganës së Kosovës të cilët akuzohen për marrje ryshfeti prej 450 euro.

Gjithashtu janë liruar dhe dy të akuzuarit tjerë në këtë rast për dhënie të ryshfetit.

Alban Krasniqi, B. P., Liridon Borovci e Habib Luta janë liruar nga akuzat.

Kryetarja e trupit gjykues Nushe Mekaj, deklaroi se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se këta katër të akuzuarit kanë kryer vepër penale.

Mbrojtësit në fjalën përfundimtare deklaruan se në mungesë të provave, Gjykata duhet të sjellë aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre.

Më 7 shtator 2019, gjykata dënoi dy ish-doganierët Krasniqi dhe P. me nga 6 muaj burgim me kusht dhe nga 4 mijë euro dënim me gjobë.

Ndërsa Liridon Borovci dhe Habib Luta për dhënie ryshfeti ishin dënuar me gjobë me nga 4 mijë euro.

Kurse  në këtë rast ka qenë edhe Isak Luta i cili ishte liruar nga akuza për dhënie ryshfeti dhe vendimi ndaj tij tashmë është bërë i formës së prerë.

Me ankesën e avokatëve Alban Makolli, Besnik Berisha e Florent Shala, lënda kishte shkuar në gjykatën e shkallës së dytë për vendosje.

Apeli më 12 dhjetor 2019, mori vendim me të cilin e prishi vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e ktheu në rigjykim.

Apeli kishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmbante shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë ishte kundërthënës me arsyetimin e tij, po ashtu gjykata nuk kishte arsyetuar pse disa fakte i ka marrë si të vërtetuara, se provat nuk ishin vlerësuar veç e veç dhe në përputhje me njëra-tjetrën.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe B. P. në nëntor të vitit 2015 kishin kërkuar dhe marrë shumën prej 450 euro si ryshfet nga Isak Luta, i cili ishte dërguar nga Habib Luta.

Ky ryshfet, sipas Prokurorisë, ishte dhënë në mënyrë që malli të mos ekzaminohej sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës. Kjo pasi që Dogana e Kosovës kishte vërejtur gjatë ekzaminimit të mallit të Habib Lutës, i cili ishte sjellë për t’u zhdoganuar, se në kamion nuk kishte vetëm mall të vjetër, siç kishte deklaruar Habib Luta, por edhe mall të ri.

Ndërsa Liridon Borovci, pronar i firmës “Euro Joni Kosova”, sipas Prokurorisë, kishte biseduar vazhdimisht me B. P. dhe Habib Lutën duke e bindur atë që t’i japë ryshfetin prej 450 euro zyrtarëve doganorë me qëllim që malli të zhdoganohej.

(Shënim: B. P. i është larguar emri i plotë pasi i njëjti ka prezantuar agjktgjykmin e plotëfushiqëm të Gjyatës me të cilin ai është shpallur i pafajshëm – Koha e editimit: 16:11 – 29.02.2024)