Rigjykimi i ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, dëshmitarët tregojnë a u janë përmbajtur lejeve ndërtimore
Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur edhe një seancë e gjykimit të ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismail Halili, Vehbi Abdullahu, Skender Canolli dhe Mërgim Shala, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në këtë seancë u dëgjuan dy dëshmitarë: Nexhat Dumnica dhe Islam Pacolli.
Në dëshminë e tij, Dumnica tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Gjykatë në shqyrtimet paraprake si dhe shtoi se një objekt në lagjen “Arbëria” e ka ndërtuar 99.9 për qind sipas lejes ndërtimore.
Këtë objekt tha se e kishte zgjeruar një pjesë në të cilën ka ndërtuar një objekt ndihmës për ashensor dhe sende të tjera.
Për ndërtimin në fjalë ai tha se nuk ka pranuar asnjë vendim rrënimi nga Inspeksioni.
Më pas dëshminë e dha dëshmitari Pacolli, i cili deklaroi se në fshatin Hajvali kishte ndërtuar 3 komplekse për të cilat i është vonuar leja e ndërtimit.
Për këtë kohë sa nuk kishte leje tha se nuk i kujtohet se a kishte shkuar Inspeksioni.
Kujtojmë se në muajin prill të vitit 2018 dhjetë nga zyrtarët e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë dënuar nga Gjykata me rreth 20 vite burgim dhe disa prej tyre edhe me gjobë.
Kundër këtij vendimi mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilat janë aprovuar nga kjo e fundit dhe ka kthyer çështjen në rigjykim.
Gjykata pas rigjykimit për herë të dytë ka shpallur fajtorë dhjetë të akuzuarit dhe i ka dënuar secilin me nga 6 muaj burgim dhe me gjobë.
Të pakënaqur me këtë dënim të akuzuarit Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme.
Në këto rrethana aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit u anuluan nga ajo Supreme, e cila udhëzoi që rasti të rivendoset për herë të tretë.
Ndërkaq, në seancën e 15 dhjetorit të vitit 2021, prokurorja Drita Hajdari e ka ndryshuar aktakuzën si në vijim:
Pika e parë – të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale në bashkëkryerje – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e dytë, ku përfshihet objekti “Dodona”, Abdullahu, Haliti e Canolli akuzohen për bashkëkryerje në veprën – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e tretë e aktakuzës së ndryshuar, të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ku përfshihet objekti në “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”.
Ne pikën katër dhe pesë tek objekti nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest” i akuzarit Haliti akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, i akuzuari Shala akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.