Nijazi Kryeziu në Gjykatë më 31.07.2024 - Foto: Valeri Qatani / KALLXO.com

Rigjykimi i ish-drejtorit të Urbanizmit të Prizrenit, Nijazi Kryeziu ndihet "plotësisht i pafajshëm”

Ish-drejtori i Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, i akuzuari Nijazi Kryeziu, i cili dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, është ulur sërish sot, më 31.07.2024, në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit për rigjykim.

I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, rreth akuzave që rëndojnë ndaj tij, Kryeziu tha se ndihet “plotësisht i pafajshëm”.

Prokurori Mehdi Sefa tha se aktakuzën ndaj të akuzuarit Nijazi Kryeziut e ka ngritur në bazë të provave.

Sipas tij, me këto prova dëshmohet se Kryeziu ka tejkaluar kompetencat e tij duke nënshkruar kontratë personalisht me TV Opinionin, e që sipas tij kjo u ka pamundësuar operatorëve të tjerë që në mënyrë të barabartë të konkurrojnë në ekonominë e lirë të tregut.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit Nijazi Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi, tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave që ka dhënë në seancën e datës 13.06.2024, duke shtuar se mbetet edhe në kundërshtimet e dhëna në seancën e lartcekur.

Tutje, avokati Kujtim Kërveshi propozoi një provë të re – që Komunës së Prizrenit t’i kërkohet në tërësi nxjerrja e dosjes lidhur me urdhër-pagesat, duke përfshirë procedurën për lidhjen e kontratës së reklamimit për sensibilizimin e opinionit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

Gjithashtu, gjatë seancës, ndër të tjera, avokati Kërveshi deklaroi: “Keni parasysh çka po kërkojmë! Deri më tani eksperti financiar, Agim Sheqiri, nuk e ka pasur komplet dosjen nga Komuna e Prizrenit”.

Gjykata aprovoi propozimin që në mënyrë zyrtare të sigurohet dosja nga Komuna e Prizrenit, e cila provë më pastaj të përdoret si provë materiale.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, i cili ishte shpallur i pafajshëm për lidhjen e kontratave pa tender me disa televizione lokale.

Gjykata e Prizrenit më 21.09.2021, pas 2 vitesh gjykim, Kryeziun e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës.

Mirëpo, pas parashtrimit të ankesës nga ana e Prokurorisë, shkalla e dytë mori vendim që për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, çështja të kthehet për rigjykim dhe rivendosje.

Në arsyetimin e Apelit është thënë se aktgjykimi i ankimuar është i paqëndrueshëm dhe gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë për çka rezulton se ka kontradikta lidhur me faktet dhe arsyet e paraqitura në arsyetim me përmbajtjen e dokumenteve dhe shkresave të lëndës.

Aktakuza e datës 02.09.2019 të akuzuarin Nijazi Kryeziu e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nijazi Kryeziu akuzohet për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.

Prokuroria e akuzon Kryeziun se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me “TV Opinion” për emitimin e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate vlerësohet të jetë në total 7,200 euro, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.