Rifunksionalizohet sistemi i regjistrimit të hyrje-daljeve në UP

Sistemi elektronik i kartelave për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve në Universitetin e Prishtinës ka filluar në vitin 2017.

Mirëpo, që nga ajo kohë, sistemi është përballur me probleme dhe nuk ka funksionur vazhdimisht.

Në fillim të këtij viti akademik, kartelat elektronike janë rifonksionalizuar dhe studentët e profesorët kanë filluar të regjistrojnë prezencën e tyre në objektet e fakultetit.

Profesoresha e Fakultetit Filologjik, Remzie Shahini-Hoxhaj, ka thënë se sistemi elektronik në një formë e mbron ambientin, por kur nuk funksionon shndërrohet në punë të dyfishtë.

“Unë gjithmonë shkoj me të sigurtën, i marr edhe fletë-evidencat fizike, por ajo është punë e dyfishtë. Nëse është menduar që ky sistem t’i heqë parregullsitë dhe t’i ndërgjegjësojë profesorët për mbajtjen e orëve me rregull, unë mendoj që nuk është arritur qëllimi deri sa të funksionalizohet krejtësisht” , ka thënë Shahini-Hoxhaj.

Në aparatet e vendosura te dyert e sallave në UP, fillimisht profesorët regjistrohen pastaj studentët kanë kohë 15 minuta nga ai momenti dhe menjëherë vijueshmëria e tyre vendoset në sistemi elektronik për menaxhimin e studentëve (SEMS).

KALLXO.com ka kontaktuar me studentët të cilët kanë pasur probleme për regjistrimin e prezencës së tyre.

“Mua njëherë nuk më ka punuar, por pastaj kam shkuar te IT-ja edhe kanë filluar të më dalin në SEMS orët që i kam mbajtur”, ka thënë një student i UP-së.

Probleme të tilla kanë pasur dhe studentë të tjerë, por sipas Universitetit të Prishtinës ato janë rregulluar.

“Për të gjitha rastet ku ka pasur nevojë për ndërhyrje, janë bërë ndërhyrjet e nevojshme.  Nëse palët hasin në ndonjë rast që sistemi nuk po funksionon atëherë luten të na njoftojnë dhe ne do të shohim se ku qëndron problemi”, ka thënë zyra për informim e Universitetit të Prishtinës.

I gjithë projekti i filluar në vitin 2017 ka kushtuar 174,160.00 euro.