Foto: REL

Rifillojnë gërmimet për mbetjet mortore në Kizhevak

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kanë rifilluar sot në Kizhevak të Rashkës, Serbi, gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Sipas komunikatës, përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kanë qëndruar në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak, Serbi, me rastin e rifillimit të gërmimeve.

Siç bëhet e ditur, në ditën e parë të gërmimeve është kryer dekonzervimi i terrenit, ndërsa nesër do të fillohet me tërheqjen e eshtrave.

“Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, do të vazhdojnë në këtë lokacion së paku për dy javë rresht. Do të punohet gjashtë ditë në javë, ndërsa të dielën do të bëhet ndërrimi i ekipeve. Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të procesit”, thuhet në kumtesën e Zyrës së Kryeministrit.