Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rifat Brahimaj: Për afërsisht tre vite disa infermierë në Kardiokirurgji janë paguar pa i mbajtur kujdestaritë

Nga viti 2018 deri kah mesi i vitit 2020 në Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjise Invazive në Qëndrën Klinike Universitare disa nga infermierët janë paguar pa shkuar fare në kujdestari.

Për një gjë të tillë vitin e kaluar është shkarkuar nga pozita e drejtorit të kësaj Klinike, Tefik Bekteshi, pasi që  auditori i brendshëm pati gjetur parregullsi në kujdestari të infermierëve në Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive.

Brahimaj thotë se infermierët të cilët janë paguar për punën që nuk e kanë bërë janë ende në Klinikë por që sipas tij tani kjo çështje është rregulluar dhe e mbajnë kujdestarinë edhe pse në fillim ai thotë se kanë hezituar.

“Ai (ish-drejtori Tefik Bekteshi) është shkarkuar për shkak të auditimit të brendshëm që janë gjetur parregullsi në kujdestari, kujdestari të pambajtura, të paguara për stafin e mesëm dhe me ardhjen time si ushtrues detyre, e akoma jam ushtrues detyre. Nuk kanë ardhur në kujdestari dhe janë paguar sikur të ishin aty, kjo ka qenë shkelja më serioze. Po të njëjtit punojnë ende. Nuk e di a ju vjen marre, por kështu ka funksionuar fatkeqësisisht”, sqaroi ai sonte në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Ka pasur rezistencë të hynë në kujdestari, sepse jemi mësuar kështu dhe kështu do të vazhdojmë por nuk ka kështu me mua. Tani më nuk ka kishte në fillim. Është e pamundur që dikush të qëndrojë në shtëpi e të paguhet”, tregon tutje ai.