Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rifat Brahimaj flet për KALLXO pas shkarkimit nga detyra e drejtorit të Kardiokirurgjisë

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj ka reaguar lidhur me shkarkimin e tij, të cilin e bëri të ditur sot Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Këtë vendim ai e quajti goditje të fuqishme ndaj doktorëve.

“Kjo është definitivisht një goditje e fuqishme ndaj doktorëve, personelit të edukuar jashtë vendit me vite, në shkollat më të mira evropiane” – tha Brahimaj për KALLXO.com

Ai tha se është një kardiokirurg me përvojë e me qindra operacione të pavarura, i cili ka specializuar për 7 vite në Evropë dhe ka qenë student me notë mesatare mbi 9.3.

“Ky është një demotivim, dekurajim, përdhosje e këtyre njerëzve të shkolluar, që janë kthyer me vetëdëshirë në Kosovë, në kohën kur bëhet thirrje për rikthim të njerëzve që punojnë në vendet evropiane” – u shpreh Brahimaj.

Vendimin ai tha se nuk e ka pranuar ende, pasi që pas përfundimit të kujdestarisë nuk është në klinikë, mirëpo tregoi që ishte njoftuar verbalisht, para publikimit të vendimit.

Sipas tij, arsyetimi që lidhet me ndodhitë e fundit është banal dhe i pabazë, pasi që ai ka shprehur mendimin e tij profesional, gjë që siç tha ai ka të drejtë ta bëjë.

Shkarkimi i tij, u bë i ditur sot përmes SHSKUK-së, e cila po ashtu njoftoi se në vend të tij është emëruar Shpejtim Shurdhiqi.

Shkarkimi i Brahimajt vjen pas rastit të vdekjes së një pacienti pasi që ai u operua në QKUK, për të cilën, Brahimaj tha se mjekët që kanë kryer operacionin nuk kanë qenë kompetentë.

Operacioni i kryer me emrin “David” ka qenë i pari i llojit të tij në QKUK, dhe për këtë kishte informuar në “Facebook” kardiokirurgu që ka kryer atë, Kushtrim Shala.

Kardiokiurgu që kreu operacionin, Kushtrim Shala ka reaguar lidhur me deklaratën e Brahimajt duke shpjeguar rrjedhën e ngjarje dhe ka hedhur akuza ndaj tij.

Ai ka thënë se komentimi i tij lidhur me rastin pa diskutuar fare në konziliumet profesionale është joetik, joprofesional dhe kriminal, sepse, sipas tij, ka të bëjë me tendencën për të eliminuar kolegun.

Për këtë rast, Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetimet për të parë mundësitë e shkeljeve profesionale dhe shkeljeve etike pasi që pacienti i operuar kishte ndërruar jetë disa orë pas intervenimit.