Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Richardson tregon ku duhet të ruhen vaksinat kundër COVID-19

Ulrika Richardson, koordinatorja e agjencive të OKB-së në Kosovë, në intervistën për KALLXO.com ka folur rreth buxhetit të ndarë nga institucionet e vendit tonë për blerjen e vaksinës kundër COVID-19.

“Nuk mund të përgjigjem rreth kësaj. Qeveria po punon fuqishëm në këtë drejtim, dhe po bën kërkesa me qeveritë e vendeve të tjera, me donatorë, me miq dhe po shfrytëzon zotimet nga disa hua që do t’i jepen Kosovës nga institucionet financiare ndërkombëtare për të parë nëse ka ndonjë hapësirë për të ridestinuar mjete nga këto hua të mëdha që do të ofrohen për blerjen e vaksinave apo për të blerë pajisje, sepse duhet ta kemi parasysh që kjo është një situatë shumë komplekse, ngase jo të gjitha vaksinat janë të njëjta”, ka thënë mbrëmë Richardson.

Ajo tutje ka bërë të ditur se disa nga vaksinat duhet të ruhen në temperatura shumë të ulëta, të ruhen në temperatura ekstreme, duke treguar nëse Kosova ka vende për ruajtjen e tyre.

“Nga ajo që kam kuptuar, Kosova ka disa hapësira të tilla tashmë, ndërsa ajo që nuk ekziston, do të blihet… Do të blihen jo vetëm hapësirat por edhe zinxhiri i shpërndarjes në temperatura të ftohta. Në fakt, UNICEF po e përkrah krijimin e këtij sistemi, sepse disa vaksina kërkohet që të vendosen në frigorifer, disa në temperatura edhe më të ftohta”, thotë Richardson.