Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Richardson: Kosova ka aplikuar për vaksina kundër COVID-19 në afatin e paraparë

Koordinatorja e OKB-së, Ulrika Rchardson, në intervistë për KALLXO.com ka folur se kur ka gjasa Kosovë të marrë vaksinën kundër COVID-19 dhe çfarë duhet të bëjë vendi në këtë drejtim.

“Ekziston një koalicion i mbështetur nga Kombet e Bashkuara apo një pakt i quajtur COVAX, që është një koalicion për vaksinën. Përmes këtij koalicioni, një numër i madh dozash të vaksinës do të jenë të qasshme. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian, nëse merren bashkërisht, janë donatori më i madh i COVAX aktualisht, por donatori aktual më i madh individualisht është Mbretëria e Bashkuar”, tregon Richardson.

Ajo ka treguar se Kombet e Bashkuara po mundohen që vaksinën ta dërgojnë në të gjitha vendet pa dallim në mes vendeve të varfëra dhe të pasura.

“Ne jemi duke parë disa shqetësime që disa shtete po blejnë vaksina në numër shumë të madh dhe shpresojmë që nëse ata blejnë më shumë vaksina sesa që ka nevojë popullsia e tyre, atëherë ata do të dërgojnë disa nga to te vendet e varfra më vonë”, thotë Richardson.

Sipas saj, marrëveshja e përgjithshme aktualisht është që çdo vend do të marrë një pjesë të vaksinave nga COVAX.

“Kjo vlen për të gjithë, por është ende një pikëpyetje e madhe ngase nuk ka mjaftueshëm vaksina në treg, prandaj, sa i përket Kosovës, ajo veç ka aplikuar, pra e ka bërë punën e vetë brenda afatit të paraparë, e që ka kaluar para ca ditësh”, thotë Richardson.