Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Richardson: 30 milionë euro janë dhënë për Kosovën që nga fillimi i pandemisë

Ulrika Richardson, koordinatorja e agjencive të OKB-së në Kosovë, në intervistën për KALLXO.com ka folur rreth donatorëve që kanë ndihmuar Kosovën gjatë kohës së pandemisë.

Richardson ka thënë se solidariteti që miqtë e Kosovës dhe komuniteti i donatorëve kanë treguar për Kosovën, ka qenë shumë i rëndësishëm për ta.

Ajo tutje ka treguar se sa para kanë dhënë organizatat që koordinohen nga OKB.

“Ne kemi një plan, mund të them që sa i përket përgjigjes tonë socio-ekonomike dhe shëndetësore, ne kemi dhënë fonde të reja, nuk po flas për fonde të ridestinuara, sepse siç e dini, ekzistojnë disa plane që kemi pasur në fillim të vitit 2020 dhe pastaj i kemi ndërruar këto plane kur erdhi muaji mars dhe pamë që COVID po pushtonte Kosovën dhe të gjithë botën. Prandaj, mund të them që vlera ka qenë sipas të gjitha gjasave rreth 30 milionë e që ka ardhur përmes nesh. Këtu nuk përfshihet buxheti kyç i agjencive tona, që do të thotë shuma që do të merrnin zakonisht për pagesa”, thotë Richardson.

Sipas saj shuma prej 30 milionë euro e cila është dhënë për COVID-19 në vendin tonë është shumë e rëndësishme kur merret për bazë numri i popullsisë.

“Ne nuk jemi donatori më i madh, por jemi shtesë në shumën e përgjithshme. Ka pasur hua nga Banka Botërore, kontribut të madh ka dhënë BE-ja si rreth huave por edhe mbështetjes buxhetore. Pra, nëse e marr për shembull Kosovën, jam shumë optimiste dhe pozitive rreth bashkëpunimit ndërkombëtar dhe solidaritetit”, ka thënë Richardson.