Riauditimi vë në pah mosmenaxhimin e mirë me Fondin për Komunat e Veriut

 

Vetëm katër nga 13 rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vitin 2017, janë zbatuar nga aktorët përgjegjës që menaxhojnë me Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit.

Katër rekomandime të Auditorit nuk janë zbatuar fare, ndërkohë që pesë të tjera janë zbatuar vetëm pjesërisht.

Kështu u tha në prezantimin e Zbatimi i rekomandimeve të raportit ‘Fondi Zhvillimor’ dhe efektet e fondit”.

Aktorët e përfshirë në këtë fond janë Ministria e Financave, Dogana e Kosovës, komuna e Leposaviqit, Zubin Potokut Mitrovica e Veriut si dhe Zveçanit.

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm tha që kërkesa për auditimin e Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit ka ardhur pikërisht nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Arsyeja pse ne kemi auditu këtë fond dy herë vjen nga kërkesa e zyrës së BE-së në Prishtinë. Auditimi i këtij fondi dhe vet fondi është shumë specifik, e dini që buron nga marrëveshja e Brukselit. Edhe për neve ka qenë një lloj sfide auditimi i këtij fondi duke i marrë parasysh karakteristikat e veçanta që i atribuohen këtij fondi”, tha ai.

Sipas tij ky projekt ka qenë i rëndësishëm për ZKA-në për shkak që është pjesë e buxhetit të Kosovës.

“Projekti si i tillë për neve ka qenë i rëndësishëm edhe për një fakt tjetër me qenë se është pjesë integrale e buxhetit të shtetit, në duhet të kemi një informacion të bollshëm për çka po menaxhohet fondi”, tha ai.

Osmani tregoi se edhe në vitin 2017 është bërë një auditim i këtij fondi, dhe shtoi se ka pasur një disponim pozitiv nga Dogana e Kosovës, Ministria e Financave dhe katër komunat për të bashkëpunuar me Auditorin.

“Kemi pa një përkushtim të institucioneve të përfshira për me bo ndryshime. Ky është një mesazh që ish dashtë me ndjek të gjitha institucionet e tjera që ne auditojmë. Ne këtij fondi do t`i kthehemi edhe njëherë, unë i bëjë thirrje të gjithë aktorëve që t`i marrin me seriozitet rekomandimet dhe kanë një qëllim të përbashkët që taksapaguesit kosovarë dhe mjetet të përdoren në mënyrë efektive, ne duam me pa që ky buxhet do të përdoret për të mira materiale për qytetarët e këtyre komunave”, tha ai.

Vlora Spanca, ndihmës Auditor i Përgjithshëm tha që nga auditimi i përgjithshëm vetëm 4 rekomandime janë zbatuar plotësisht.

“Fondi zhvillimor është themeluar në vitin 2013 mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës. Vetëm 4 nga 13 rekomandimet e dhëna janë zbatuar plotësisht, 5 pjesërisht, ndërsa të tjerat nuk janë zbatuar. Bordi menaxhuese i fondit zhvillimor nuk ka mundur t`i zbatoj të gjitha rekomandimet e dhëna kjo është pamundësuar si rezultat i dorëheqjeve të kryetarëve të Komunave”, tha ajo.

Ajo tutje tha që nga auditimi i fundit ka pasur progres dhe janë kryer disa detyra nga Ministria e Financave.

“Ministria e Financave kishte rregulluar nenin 16 të Ligjit për Buxhetin për vitin 2019 çështjen e përfshirjes së projekteve të financuara nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit në tabelat e buxhetit, poashtu kishe arritur të instaloj Sistemin e Menaxhimit të Financave të Kosovës dhe kishe ofruar trajnime përkatëse për zyrtarët përkatës”, tha ajo.

Auditori në fund të këtij raporti ka dhënë edhe rekomandime.

“Etnitetet e audituara në veçanti komunat, të përgatisin planet e tyre përkatëse të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të cilat duhet të përfshijnë veprimet për rekomandimet e pa zbatuara të raportit paraprak dhe rekomandimet e këtij auditimi”, thuhet në raport.

Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit është themeluar në vitin 2013 me marrëveshjen në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Fondi ka për qëllim të promovoj zhvillimin social dhe ekonomik në komunat Mitrovicë e veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan.