
Rezultatet preliminare: Vetëvendosje me numrin më të madh të votave në Kryeqytet
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po prin në Prishtinë me 46.83% të votave, apo 52 mijë e 976 vota – sipas rezultateve preliminare të rifreskuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia e cila udhëheq në këtë Komunë në nivelin e qeverisjes lokale, është e dyta me 25.61%, apo 28 mijë e 971 vota.
E treta në Kryeqytet, me numrin më të madh të votave, është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 18.35% apo 20 mijë e 757 vota.
E katërta për nga numri i votave deri më tani është renditur Koalicioni për Familje me 4.24%, apo 4 mijë e 800 vota.
I pesti është renditur Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Nismën, Konservatorët, Intelektualët dhe Listën Ideal me 3.30% të votave, apo 3 mijë e 735 vota.
Këto të dhëna janë procesuar për herë të fundit në orën 10:19, më 10.02.2025, në 249 vendvotime nga gjithsej 258 gjithsej, apo 96.51% vendvotime të procesuara.
Në përgjithësi, rezultatet preliminare në krejt Kosovën deri më tani e nxjerrin LVV-në me numrin më të madh të votave: me 311 mijë e 782 vota, apo 41.05%. E dyta është PDK-ja me 169 mijë e 091 vota, apo 22.26%. E treta LDK-ja me 133 mijë e 644 vota, apo 17.60% e votave. E pesta AAK-Nisma me 57 mijë e 509 vota. E gjashta Lista Serbe me 30 mijë 273 vota. I shtati Koalicioni për Familje me 17 mijë e 494, apo 2.30%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor, ka njoftuar më 09.02.2025 se për shkak të dështimit të Sistemit, së bashku me stafin, do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në Sistem.
“Stafi i KQZ-së dhe ne anëtarët e KQZ-së do të jemi gjithë natën në objekt dhe do të punohet që të gjitha të dhënat nga Formularët nga vendvotimet të futen manualisht në Sistem.” – tha ai në Konferencë për media.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.