Rezultatet preliminare: Vetëvendosja e para në Gjakovë, Komunën që qeveriset nga AAK-ja

Në Komunën e Gjakovës që udhëhiqet nga Ardian Gjini i AAK-së, rezultatet preliminare të KQZ-së, e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si parti të parë për nga numri i votave. Kjo parti rezulton se deri më tani ka fituar 17 mijë  e 470 vota, apo 47.15%. 

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) renditet pas VV-së, me 19.70%, apo 7 mijë e 300 vota gjithsej. 

Numër më të vogël të votave ka arritur të mbledhë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila rezulton të ketë 16.68%, apo 6 mijë e 179 vota. 

E katërta në listë renditet Partia Demokratike e Kosovës, me 10.23%, apo 3 mijë e 792 vota. 

Këto të dhëna nga KQZ janë procesuar për herë të fundit në orën 12:35, më 10.02.2025, në 135 vendvotime nga 145 sa janë gjithsej në këtë Komunë.

Në përgjithësi rezultatet në nivel vendi deri më tani e vendosin LVV-në të parën me 41.05%, apo me 311 mijë e 782 vota. E dyta është PDK-ja, me 169 mijë e 091 vota, apo 22.26%. E treta LDK-ja, me 133 mijë e 644 vota, apo 17.60%. E pesta AAK-Nisma, me 57 mijë e 509 vota. E gjashta Lista Serbe, me 30 mijë 273 vota. I shtati Koalicioni për Familjen, me 17 mijë e 494, apo 2.30%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.