Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq - Foto: Millo Gjukanoviq

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Mal të Zi, Gjukanoviq dhe Millatoviq përballen në balotazh

Në Mal të Zi kanë përfunduar votimet për zgjedhjet presidenciale dhe sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), të bazuara në rreth 90 për qind të mostrave të përpunuara, presidenti aktual Millo Gjukanoviq dhe kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Millatoviq, kanë fituar më së shumti vota dhe do të përballen në balotazh, i cili pritet të zhvillohet më 2 prill.

Siç njofton Radiotelevizioni i Malit të Zi, kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, fitoi 35,3 për qind të votave dhe kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Millatoviq, 29,1 për qind, sipas të dhënave të CeMI.

Sipas RTCG, kandidati i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, fitoi 19.2 për qind, demokrati Aleksa Beçiq 11.1 për qind dhe kandidati i Partisë Socialdemokrate Draginja Vuksanoviq Stankoviq 3.2 për qind.

Kandidati i Malit të Zi të Bashkuar, Goran Daniloviq, fitoi 1.3 për qind të votave dhe Jovan Raduloviq 0.80 për qind.

Në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi kanë votuar rreth 344.7 mijë votues ose 63.6 për qind.