Rezultatet preliminare: prin LVV me 41.99%

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin për nga numri i votave sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), me 41.99% të votave.

Partia e dytë me më së shumti vota deri më tani është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.68%, partia e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.90%, partia e katërt AAK-Nisma me 7.56%, Lista Serbe me 7.56%, Koalicioni për Familje me 2.29%.

Deri më tani janë procesuar 73.04% e vendvotimeve, apo 1,850 nga 2,533 vendvotime.

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryeministër, Albin Kurti ka thënë se do ta themelojë Qeverinë Kurti 3 me koalicionin e tyre, me Listën Guxo dhe Alternativa.

“Koalicioni ynë fitues do ta themelojë Qeverinë e re ‘Kurti 3’ dhe do të vazhdojmë punët e mira.” – tha ai për media.

Kurti tha se nuk ka pasur incidente dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe rregullave – duke falënderuar Policinë dhe organet në përgjithësi. 

“E kanë dëshmuar qytetarët rezistencën e dytë përkundër një lufte hibride e oligarët, sidomos njëri prej tyre, kanë shpenzuar pa hesap dhe kanë kërcënuar punëtorët dhe përkundër të gjithave: populli fitoi, fitoi LVV dhe subjekti që do ta formojë Qeverinë. Të gjithë e kanë të qartë se ata që janë në vendin e dytë dhe te tretë edhe po të bëhen bashkë nuk mund të bëhen sa LVV.” – tha Kurti te objekti i LVV-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve preliminare të Zgjedhjeve parlamentare të së dielës, më 09.02.2025.