
Rezultatet preliminare: PDK e para në Drenicë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e para për nga numri i votave të fituara në dy Komunat e Drenicës: Skenderaj dhe Drenas.
Sipas rezultateve preliminare të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në orën 11:07, më 10.02.2025, PDK në Skenderaj ka marrë 76.02%, apo 14 mijë e 969 vota.
E dyta për nga numri i votave është Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me 12.20%, apo 2 mijë e 402 vota.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët, Intelektualët dhe Lista Ideal renditet i katërti, me 5.57%, apo 1 mijë e 97 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 1.89%, apo 373 vota.
Këto të dhëna për Skenderajn janë grumbulluar në 65 vendvotime nga 71 gjithsej, apo me procesim 91.55%.
Pothuajse e njëjta renditje është edhe në Drenas, vetëm se këtu e treta me më së shumti vota është LDK me 3.05%, apo 776 vota.
E para me më së shumti vota në Drenas është PDK-ja me 74.62%, apo 19 mijë e 14 vota.
E dyta është LVV-ja, me 17.20%, apo 4 mijë e 382 vota.
Kurse, AAK-NISMA është e kartërta, me 2.85%, apo 727 vota.
Në përgjithësi rezultatet në krejt Kosovën deri më tani e vendosin LVV-në me numrin më të madh të votave, me 311 mijë 907 vota, apo 41.00%. E dyta është PDK-ja, me 170 mijë e 198 vota, apo 22.37%. E treta LDK-ja, me 133 mijë e 693 vota, apo 17.57% e votave. E pesta AAK-Nisma, me 57 mijë e 539 vota, apo 7.56%. E gjashta Lista Serbe, me 30 mijë 273 vota, apo 3.98%. I shtati është Koalicioni për Familje, me 17 mijë e 505, apo 2.30%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.