
Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Rezultatet preliminare: Cila parti në cilën Komunë doli e para për nga numri i votave?
Lëvizja Vetëvendosje, bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, në Zgjedhjet e 9 shkurtit ka një rënie prej 10% krahasuar me Zgjedhjet e vitit 2021, mirëpo sërish ka mbetur e para duke arritur të marrë më shumë vota edhe nëpër Komunat që udhëhiqen nga partitë e tjera.
Me 99.37% të votave të numëruara, kjo parti prin më 40.89%, PDK është e dyta me 22.05%, LDK e treta me 17.63% dhe koalicioni AAK-Nisma me 7.46%.
Në Zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV kishte fituar vetëm katër Komuna: PDK në 8 po aq sa edhe LDK-ja, AAK në 5 dhe Nisma Socialdemokrate në një Komunë.
Në Komunën e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 46.86% të votave të numëruara deri më tani. Rama kishte fituar Prishtinën në balotazh kundrejt Arben Vitisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Komuna e Mitrovicës udhëhiqet nga Bedri Hamza i PDK-së i cili edhe ka qenë në garë për Kryeministër. Në këtë Komunë, në Zgjedhjet e 9 shkurtit udhëheq LVV me 56.29% të votave të numëruara deri më tash.
Gjakova e cila udhëhiqet nga Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në këto Zgjedhje ka votuar më shumë LVV-në. Kjo parti prin në këtë Komunë me 47.90% të votave. Gjini kishte fituar në garën për të parin e Komunës me balotazh kundrejt Mimoza Kusari Lilës së LVV-së.
Agim Aliu, në Zgjedhjet lokale të vitit 2021, kishte fituar Ferizajin pa balotazh me 62.38% të votave. Megjithatë, në Zgjedhjet e fundit parlamentare në Ferizaj prin LVV me 51.96% të votave.
Edhe në Pejën e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së prin LVV-ja. Muhaxheri në Zgjedhjet lokale i kishte fituar 60.49% të votave, pa balotazh. Në Zgjedhjet e tanishme për nivelin qendror, LVV prin në këtë Komunë me 41.30% të votave.
Shaqir Totaj i PDK-së kishte fituar garën për Komunën e Prizrenit me balotazh kundrejt Mytaher Haskukës së LVV-së. Në këtë Komunë, në rezultatet e Zgjedhjeve të përgjithshme po prin LVV me 40.58% të votave.
Totaj, në një prononcim për KALLXO.com, thotë se VV ka rënie në Prizren prej 5 mijë votash.
“VV edhe në nivel nacional ka ra nga 51% me diku prej 10%. Konsideroj se shkaktar i rënies së VV-së në nivel nacional, por edhe në Prizren, është edhe performanca e mirë e PDK-së. Rënia e VV-së nuk ka ardhë rastësisht. Ka ardhë si pasojë e qeverisjes së tyre jo të mirë gjatë katër vjetëve, por edhe si pasojë e qeverisjes së mirë të PDK-së në Komunat ku e kemi pushtetin.” – ka deklaruar Totaj.
Në Komunën e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i LVV-së, kjo parti po prin po ashtu me 51.68% të votave.
Suharekën në Zgjedhjet lokale të vitit 2021 e kishte fituar Bali Muharremaj i AAK-së, me 51.30% të votave. Në këtë Komunë po prin Lëvizja Vetëvendosje, me 34.27%të votave.
Në Skenderaj, i cili udhëhiqet nga Fadil Nura i PDK-së, kjo parti po ashtu prin në Zgjedhjet e përgjithshme, me 77.29% të votave.
Rahovecin Smajl Latifi i AAK-së e fitoi në balotazh kundër Visar Korenicës së LVV-së, megjithatë në rezultatet e Zgjedhjeve të 9 shkurtit po prin LVV me 38.82% të votave.
Deçanin Bashkim Ramosaj i AAK-së e kishte fituar pa balotazh. Në rezultatet e Zgjedhjeve që u mbajtën të dielën, në këtë Komunë prin po ashtu kjo parti me 50.46% të votave.
Fushë Kosovën në Zgjedhjet lokale e kishte fituar Burim Berisha i LDK-së kundër Enver Bajcincës së LVV-së, megjithatë në rezultatet preliminare të KQZ-së LVV po prin në këtë Komunë me 45.75% të votave.
Ngjashëm si Fushë Kosovën LDK fitoi me Sokol Halitin në Viti në balotazh kundër Arsim Ademit të LVV-së. Vetëvendosje po prin edhe në këtë Komunë me 49.87%.
Në Kaçanikun i cili udhëhiqet nga Besim Ilazi i PDK-së që kishte fituar në balotazh kundër Jeton Rakës së LVV-së, partia e udhëhequr nga Albin Kurti po prin me 52.29% të votave.
Komuna e Dragashit udhëhiqet nga Bexhet Xheladini i LDK-së i cili në balotazh kishte mposhtur Shaban Shabanin e PDK-së. Megjithatë, në Zgjedhjet e përgjithshme asnjëra nga këto parti nuk po prin në këtë Komunë. Aty LVV është e para me 26.39% të votave.
Komuna e Istogut udhëhiqet nga Ilir Ferati i LDK-së i cili në garën për Kryetar Komune mposhti Bekë Berishën e AAK-së. Në këtë Komunë prin LVV me 35.96% të votave, me avantazh të vogël ndaj LDK-së, që ka 34.51%.
Malishevën e kishte fituar Ekrem Kastrati i NISMA-s kundrejt Isni Kilajt të PDK-së. Në këtë Komunë prin koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët, me 37.75% të votave.
Ramiz Lladrovci i PDK-së kishte fituar garën për Komunën e Drenasit kundër Driton Ajazit të Demokratët për Drenasin. Në këtë Komunë prin PDK, me 74.62% të votave.
Junikun me balotazh e kishte fituar Ruzhdi Shehu i LDK-së kundër Agron Kuçit të AAK-së. Në këtë Komunë prin koalicioni AAK-NISMA, me 37.14% të votave.
Në Komunën e Klinës po prin PDK, me 27.34% të votave e që pasohet nga LVV, me 26.36%, derisa në këtë Komunë janë numëruar 87.10% të votave. Klina udhëhiqet nga Zenun Elezaj i AAK-së që në balotazh kishte mposhtur Esat Racin e PDK-së.
Në Podujevën e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i LVV-së që kishte mposhtur në balotazh Ekrem Hysenin e LDK-së, në rezultatet preliminare udhëheq LVV me 49.70% të votave.
Garën për të parin e Lipjanit e kishte fituar Imri Ahmeti i LDK-së pa balotazh, me 56.42% të votave. Në këtë Komunë po prin LVV, me 38.07% të votave.
Shtimen Qemajl Aliu i LVV-së e fitoi me balotazh kundër Naim Ismajlit të PDK-së. Në këtë Komunë po prin LVV me 46.54% të votave.
LVV e kishte fituar edhe Kamenicën në Zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur Kadri Rahimaj mposhti në balotazh Qëndron Kastratin e PSD-së. Në këtë Komunë udhëheq LVV me 52.72% të votave.
Në vitin 2021, Mehmet Ballazhi i PDK-së fitoi në Han të Elezit pa balotazh. Në këtë Komunë prin LVV, me 50.14% të votave.
Obiliqi udhëhiqet nga Xhafer Gashi i LDK-së. Ai fitoi në vitin 2021 me balotazh kundrejt Halil Thaçit të LVV-së. Në këtë Komunë me rezultate preliminare udhëheq LVV, me 48.61% të votave.
Ferit Idrizi i PDK-së kishte fituar në balotazh kundër Xhafer Tahirit të LDK-së në Vushtrri. Megjithatë, në Zgjedhjet e përgjithshme në këtë Komunë prin LVV, me 52.59% të votave.
Idrizi në një prononcim për KALLXO.com thotë se ky ka qenë vullneti i qytetarëve dhe ka uruar LVV-në për fitoren në Zgjedhje.
“Është vullnet i qytetarëve. Në 2021 i kanë pasë 61.5%, edhe në tetor i kam marrë unë. Duhet me u mësu një herë e përgjithmonë me e respektu vullnetin e qytetarëve, demokracinë. Qeshtu është kjo punë.” – ka deklaruar Idrizi.
Ai thotë se qytetarët duhet të vendosin se kush duhet ta formojë Qeverinë e ardhshme të vendit.
“Qytetarët po bëjnë ndamje. Ju e dini që në nivelin qendror edhe në 2021 i ka fitu mbi 50%, por kur ka ardhë puna në nivelin lokal ka fitu më së paku Komuna. Bile, edhe më pak se Aleanca. Është vullnet i qytetarëve. Nuk kam bërë kurrfarë analize me të kallxu drejt. Është vullnet i qytetarëve dhe ia uroj fitoren partisë së parë Lëvizjes Vetëvendosje, që ka fitu edhe në Vushtrri, edhe në nivel vendi dhe kaq e ka puna. Qytetarët le të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, për Qeverinë që ka me i drejtu.” – shton ai.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.
Rezultatet në kohë reale mund t’i ndiqni në këtë LINK.