Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rezultatet për drejtor të RTK-së (LISTA)

Bordi i RTK-së sot ka zhvilluar procesin e intervistimit dhe të vlerësimit të kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së.

Sipas rezultateve, kandidati më i vlerësuar është Shkumbin Ahmetxhekaj, me 83.1 pikë.

Pas tij janë radhitur: Arta Bajrami me 81.8 pikë; Bekim Hasani 80.7 pikë; Ylli Kaloshi me 73.1 pikë; Bekim Shehu me 66.2 pikë; Arbëreshë Arifi – Teli me 58.6 pikë; Naser Thaçi me 48.3 pikë dhe Adriana Kutllovci me 42.6 pikë.

Në proces ishin paraqitur nëntë kandidatë, por një kandidat nuk ka vazhduar garën dhe është tërhequr në ditën e intervistimit.

Intervistimi ka qenë i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë kandidatët kanë preznatuar konceptin strategjik për RTK-në, ndërsa në pjesën e dytë ata janë përgjigjur në gjashtë pyetje.

“Secili anëtar i Bordit vlerësimin e ka bërë në mënyrë të pavarur për secilën pyetje. Gjithashtu, në kuadër të transparencës dhe vlerësimit korrekt, anëtarët e Bordit e kanë arsyetuar vlerësimin për secilën pyetje para anëtarëve të tjerë të bordit dhe monitoruesve”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.

Vlerësimin e secilit anëtar të bordit për kandidatët e intervistuar mund ta gjeni KËTU.

Po ashtu, bordi ka bërë të ditur se në kuadër të transparencës dhe mbarëvajtjes sa më korrekte të procesit, rreth gjysmë ore para se të fillonin intervistat, në prani dhe bashkë me monitoruesit, janë përpiluar gjashtë pyetjet për kandidatët.

Procesi i intervistimit është bërë në prani të monitoruesve nga organizatave vendore BIRN, FOL dhe ato ndërkombëtare Zyra e BE-së, OSBE, anëtarëve të tri sindikatave të RTK-së dhe një qytetari.

Radiotelevizioni i Kosovës ka shpallur konkursin e dytë brenda këtij viti për drejtor të përgjithshëm. Kjo është bërë pasi është ndryshuar rregullorja për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së. Konkursi ishte mbyllur më 7 qershor.

Më 22 mars, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës kishte vendosur që të mos e zgjidhte drejtorin e përgjithshëm të RTK-së me arsyetimin se baza aktuale ligjore nuk mundëson zgjedhjen e një drejtori të ligjshëm.

Ndërkaq, Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka aprovuar javën e kaluar rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së.

Në konkursin e fundit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ishte renditur i pari. Konkursi ishte monitoruar nga BIRN dhe gjetjet në lidhje me këtë konkurs janë publikuar në artikullin e mëposhtëm.

Prapaskenat e konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së