Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rezultat i ngushtë në Junik, 670 votat e diasporës mund ta ndryshojnë rezultatin

Dy kandidatët për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Agron Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas rezultateve preliminare të balotazhit të zgjedhjeve lokale 2021, kanë diferencë të vogël në vota.

Kandidati i LDK-së Ruzhdi Shehu ka vetëm 29 vota më shumë se kundër kandidati i AAK-së Agron Kuçi.

Votat e diasporës dhe ato të personave me nevoja të veçanta, mund ta ndryshojnë fituesin.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, numri i fletëvotimeve të aprovuara nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor për komunën e Junikut është 670 vota, të cilat pritet të nisin të numërohen nesër më 16 nëntor.

Ndërkaq, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 2021, kandidati i LDK-së kishte më shumë vota nga diaspora 446, ndërkaq kandidati i AAK-së kishte 332 vota.

Pas numërimit të votave të diasporës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të filloj edhe numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.