Rezistoi 42 ditë, konfirmohen dy rastet e para me COVID-19 në Dragash

Në ditën e 43 që kur janë konfirmuar rastet e para me COVID-19 në Kosovë, sot janë shfaqur dy rastet e para edhe në Komunën e Dragashit.

Që nga data 13 mars kur janë shfaqur rastet e para me COVID-19 në Kosovë, Komuna e Dragashit ishte ndër komunat e pakta që nuk kishin raste të konfirmuara.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga analizat e bëra sot janë shënuar edhe 34 raste me COVID-19, ndërsa janë shëruar 3 persona nga ky virus.

I kontaktuar nga Kaxllo.com Drejtori i Shëndetësisë, Behar Brenolli, tha se zyrtarisht nuk kanë pranuar informata nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike lidhur me këto dy raste.

“Presim që shpejt të na njoftojnë nga Instituti qendra në Prishtinë apo zyra rajonale, për këto dy raste dhe të marrim informata se kush janë personat, pastaj për të vepruar në teren dhe për ti gjurmuar kontaktet e tyre”, tha Brenolli.

Nga 34 rastet e reja me COVId-19, më së shumti janë regjistruar në komunën e Gjilanit që janë 15 raste dhe të tjerat janë në komuna të ndryshme dhe të gjitha janë rastet kontakti.