FOTO - ZKM

Rezidenca e ish-Presidentit Rugova rrezikohet të mbetet pa ngrohje - Ministria hap tender t’i sigurojë peletin

Rezidenca e ish-Presidentit Ibrahim Rugova duket se ka nevojë për lëndë djegëse për ngrohje, saktësisht pelet, pasi Rezidenca e ish-Presidentit posedon ngrohje me këtë lëndë djegëse.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit [MKRS], për këtë qëllim, ka hapur tender për blerjen e 10 tonelatave pelet.

“Përmes kësaj Kontrate do të bëhet furnizimi me lëndë djegëse – pelet për nevojat e Rezidencës Dr. Ibrahim Rugova, e cila posedon ngrohje me lëndë djegëse – pelet.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas këtij njoftimit, vlera e parashikuar e Kontratës është 3,500 euro. Sipas një llogaritjeje MKRS ka parashikuar të blejë deri 350 euro një ton pelet.

Procedura e kuotimit të çmimit është lloji i procedurës së përdorur në këtë aktivitet të prokurimit, me kriter për dhënie të Kontratës – çmimi më i ulët.

Data 22.01.2025, në platformën elektronike E-prokurimi, është afati i përcaktuar për pranimin e ofertave.