Rexhepi: Nuk duhet ta fajësojmë BE-në apo ShBA-në për paaftësinë e Kosovës

Kandidatja për deputete nga partia NDS, Emilja Rexhepi, e ftuar në Debat Pernime ka thënë se për të dialoguar me Serbinë, Kosova duhet të gjejë një temë të caktuar ku ka qëndrim të fortë dhe ta përfundojë e implementojë atë në terren.

Po ashtu, Rexhepi ka thënë se nuk duhet vetëm të nënshkruhen dokumente për të plotësuar vullnetin e BE apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës e më pas t’i fajësojmë ato për paaftësinë e Kosovës për implementimin e atyre projekteve.

Premtimet dhe zotimet e partive politike do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

“Ajo që do të doja po ashtu të përmend është që nganjëherë nuk ka nevojë të merren përsipër shumë pika apo veprime për zbatim. Nganjëherë mjafton që ekipi ynë negociues të marrë një qëndrim të fortë, por brenda çështjes, pra për shembull vetëm një pikë, për vetëm një periudhë të caktuar, por duke siguruar që të arrijmë ta implementojmë në terren, ashtu që së paku njëra prej atyre pikave të përfundohet. Nuk bën që thjesht të nënshkruajmë, që ta plotësojmë vullnetin e Brukselit apo Amerikës, e pastaj kur të kthehemi në Kosovë, ta fajësojmë Serbinë, ose ta fajësojmë Brukselin, ose ta fajësojmë Amerikën. Nganjëherë jemi vetë fajtorë për paaftësitë tona të zbatimit të projekteve”, ka deklaruar Rexhepi.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Valon Murtezaj nga LDK, Haki Abazi nga VV dhe Emilja Rexhepi nga NDS, të cilët do të flasin për ‘Politikën e jashtme’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i Debat Pernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.