Rexhep Selimi tregon a kanë marrëveshje me PDK-në rreth mocionit për rrëzimin e Qeverisë Hoti

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur rreth iniciativës së partisë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

I pyetur nëse kanë marrëveshje me PDK-në lidhur me mocionin, Selimi në një debat në TV Dukagjini ka thënë se nuk kanë një marrëveshje të tillë.

“Nuk kemi marrëveshje”, tha Rexhep Selimi, duke shtuar se shpreson se PDK, konkretisht zyrtarët e saj, do t’i bashkohen iniciativës ashtu siç janë deklaruar që janë të interesuar për ta rrëzuar Qeverinë aktuale.

Lëvizja Vetëvendosje ka filluar sot mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për një mocion për rrëzimin e Qeverisë.

Kërkesa u është dërguar subjekteve dhe grupeve parlamentare, të cilat kanë dhënë deklarata kundër Qeverisë Hoti.