Rexhep Selimi: Opozita nuk e ka të qartë çfarë duhet të bëjmë me tarifën

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, pyeti deputetët e opozitës se qëndrimin e cilit prej liderëve do ta marrin parasysh sot në seancën ku do të debatohet për “tarifën”.

Selimi kujtoi se Lëvizja Vetëvendosje  e ka bërë të ditur qëndrimin tashmë të njohur në favor të ecjes përpara deri në reciprocitet të plotë politik, tregtar dhe ekonomik ndaj Serbisë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka dilema sa i përket kësaj, dhe që nga viti 2011 ka qëndrim të njëjtë sa i përket kësaj çështje. Duam reciprocitet të plotë tregtar, politik dhe ekonomik ndaj Serbisë. Këtë qëndrim e kemi shprehur edhe kur kemi diskutuar e protestuar, si brenda ashtu edhe jashtë parlamentit”, tha ai.

“Kryetari i AAK-së kërkon të mos e heqim taksën ndërsa kryetari i PDK-së dhe Presidenti i tyre kërkojnë heqjen e menjëhershme të taksës. Ne e kemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë dhe për këtë nuk kemi dilema por nuk e di opozita a e ka të qartë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Selimi

Kuvendi i Kosovës sot është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme në lidhje me heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe.

AAK ka mbledhur 41 nënshkrime nga deputetët opozitarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën tha se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardhur në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se njoftimi nga kryeministri Albin Kurti për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk është i mjaftueshëm për administratën amerikane.

Në një postim në Tëitter, Grenell ka thënë se nuk e mbështesin gjysmë-masën e kryeministrit Kurti.

“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë- dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.

Dje, Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga deputetët të përkrahin nismën e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë se LDK do ta mbështesë heqjen e saj për shkak se mendon se është në të mirë të Kosovës dhe jo sepse po e kërkon Amerika.

Ai më tej ka shkruar se derisa Kosova ka vendosur tarifë për shtetin serb, Serbia po sillet si viktimë në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka përkrahur Isa Mustafën në kërkesën e tij për heqjen e menjëhershme të tarifës.

Ai përmes një publikimi në Tëitter ka thënë se heqja e tarifës do të ishte një nismë e shkëlqyer për përparim ekonomik të Kosovës.

“Nismë shumë e mirë. Isa Mustafa është një udhëheqës i guximshëm. Heqja e tarifës nesër një fillim i shkëlqyeshëm për më shumë përparim dhe do të lëvizte shpejt. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”, ka shkruar Grenell.