Rexhaj flet për vitin e ri shkollor, thotë se çdo shkollë do ta ketë klasën izoluese - VIDEO

Viti i ri shkollor 2020/21 pritet të fillojë këtë të hënë, në bazë të dy fazave të planifikuara nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se si është paraparë plani i fillimit të këtij viti.

Në këtë intervistë, Rexhaj po ashtu ka sqaruar edhe planin e reagimit nëse në një shkollë mund të ndodhë ndonjë rast i infektimit me COVID-19.

Ai ka treguar se edhe orët mësimore që do të zhvillohen gjatë këtij viti shkollor do të jenë më të shkurtuara si dhe  sipas tij, çdo shkollë e ka për detyrë ta ketë klasën izoluese, nëse në ndonjë rast paraqitet dyshime për infektime me COVID-19.

Rexhaj ka siguruar se inspektorati i arsimit do zhvillojë inspektime nëse po zbatohen rregullat e përcaktuara nga ana e ministrisë.

KALLXO.com: Zoti Rexhaj, janë bërë tashmë disa ditë që Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se do ta marrë vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor për 14 shtator. Pse ende nuk është marrë vendimi dhe a janë të gjitha komunat të gatshme për vitin shkollor?

Xhavit Rexhaj: Vendimi është sjellur do të publikohet sot ose nesër më së largu. Vendimi i është dërguar komunave dhe ne konsiderojmë që komunat janë të gatshme për me fillu vitin e ri shkollor në kushte te pandemisë. Janë bërë të gjitha përpjekjet për të gjitha nivelet ministrisë, komunës dhe të shkollave dhe pas kësaj përpjekjeve që janë bërë prej Qeverisë deri në shkollë, mirëpresim angazhimin e prindërve në sigurimin e kushteve sa më të mira sa më të të sigurta, për fëmijët e tyre dhe për fëmijët tanë dhe për të gjithë faktorët arsimor, mësimdhënësit, nxënësit.

KALLXO.com: Si është planifikuar procesi mësimor, sa orë do të mbahen dhe sa nxënës do të jenë në një klasë në bazë të planeve?

Rexhaj: Klasa 0-1-2-3-6 dhe 10 do të shkojnë në shkollë sipas skenarit A. Distanca është kriteri kryesor që e përcakton sa nxënës janë në klasë. Nëse klasa është e madhe dhe nxë më shumë nxënës, mirëpo është e domosdoshme distanca prej 1.5 metra prej kokës së nxënësit tek nxënësi tjetër. Varet prej madhësisë së klasë së sa nxënës do të jenë aty, por mesatarisht presim një dyfishim të numrit të paraleleve.

Për këtë arsye orët do të jenë të shkurtuara, për arsye se nëse nxënësi përfiton për shkak të numrit të zvogëluar më shumë nga aspekti kohor dhe përmbajtjesor, njëkohësisht edhe kurrikula do të jetë e kompresuar rreth 80%, që i bie se vetëm për një sasi të vogël do të rritet vëllimi i punës së mësimdhënësve dhe shkollorë, por kjo do ofrojë kushte më të mira për t’i mbrojtur mësimdhënësit dhe nxënësit.

KALLXO.com: Sa orë do të jetë për afërsisht gjithë procesi mësimor?

Rexhaj: Nëse e kanë pasur 4 orë, ju mbetet 3 orë tash përafërsisht. Zvogëlimi është vetëm 20% tek numri i normave, shkurtohet vetëm kohëzgjatja e orëve, s’ka shkurtim të madh të orëve.

KALLXO.com: Si e keni planifikuar fillimin e vitit të ri shkollor për shkollat private, cili është plani i MASh?

Rexhaj: Shkollat Private ende se kanë filluar mësimin, kanë filluar aktivitetet mësimore. Mësimin e fillojnë sipas kurrikulës më 14 shtator, sikurse shkollat e tjera sepse në një shtet nuk mund të ketë dy kalendarë shkollore. Mirëpo, ata kanë bërë aktivitetet arsimore me leje tonë, kompensim të vitit kaluar, mësim me projekte të ndryshme, përshtatje me mësimin online etj.

Mirëpo, këtu duhet të ceket se të gjitha shkollat private dhe publike të cilat kanë mundësi që ta zhvillojnë mësimin vetëm në shkolla, kanë lejen e ministrisë që me vlerësimin e task forcës së shkollës dhe komunale ta zhvillojnë mësimin në shkolla.

KALLLXO.com: Ditë më parë Kosova dhe Shqipëria kanë lansuar një platformë të përbashkët dixhitale të arsimit. Çka përmban kjo platformë dhe a janë të përfshira të gjitha mësimet që janë në tekste shkollore?

Rexhaj: Kjo platformë është për një njërën anë komunikimi mes nxënësit dhe mësimdhënësit në anën tjëtër, publikime të materialeve mësimore dhe menaxhimin e përcjelljes së mësimdhënies. Dhe ishte një platformë e mirë që do të jetë në dispozicion të nxënësve, paralel me platformën tonë të Kosovës dhe do të jetë një element shtesë.

KALLXO.com: Cili është plani i ministrisë nëse në një shkollë apo klasë ka raste të infektimit me COVID-19? Çka do të ndodhë me mësimdhënësit dhe nxënësit?

Rexhaj: Shkollat dhe komunat e kanë në dispozicion protokollin e reagimit të hartuar nga MASh-i, që parasheh të gjitha situatat në nivel klase, në nivel shkolle, në nivel komune se si duhet të reagoi secili nivel. Shembull në një klasë një nxënës ka simptoma, në atë rast udhëzuesi tregon se si duhet vepruar dhe vendoset në dhomën e përkujdesjes apo të këndelljes të ndarë në shkollë, enkas për këtë rast.

KALLXO.com: Çdo shkollë e ka për detyrë ta këtë klasë?

Rexhaj: Secila shkollë duhet ta ketë dhomën e kujdesjes në rast se ndonjë nxënës  ka simptoma, mandej nëse dëshmohen ato simptoma, vjen prindi, vjen QKMF-ja  dhe bën një diagnostifikim të parë ose bëhet testimi, nëse dëshmohet se ka coronavirus, që shpresojmë që asnjë nxënës nuk infektohet, në atë rast ajo klasë do të kalojë në mësimin online, edhe klasa edhe mësuesi.

KALLXO.com: Sipas jush, a duhet të kthehen në shkolla fëmijët me probleme shëndetësorë si astma, diabeti etj?

Rexhaj: Jemi të kujdesshëm edhe tek fëmijët edhe tek mësimdhënësit të cilët kanë raste të sëmundjeve kronike, të rënda duhet të kemi kujdes për mirëqenien e tyre, normal që ata duhet të kemi kujdes mos t’i ekspozojmë dhe të ulim gjasat për infektim të tyre me COVID-19.

KALLXO.com: Po transporti i nxënësve, si është paraparë të organizohet dhe a paraqet problem mungesa e sistemit të ventilimit nëpër shkolla?

Rexhaj: Dy çështjet. Sa i përket transportit, komunat e kanë për detyrë organizimin dhe mund të organizohet nëse zbatohen rekomandimet nga IKShPK-ja. Ndërsa, sa i përket çështjet e ventilimit, pauzat mes orëve duhet të jenë më të mëdha, në mënyrë që të ajroset dhoma dhe të ajroset hapësira mjedisore.

KALLXO.com: Kush do të kujdeset nëse po zbatohen këto rregulla të përcaktuara nga MASh-i, a do të ketë persona të caktuar që do ta shikojnë këtë?

Rexhaj: Janë përgjegjësitë që janë përcaktuar dhe task forca shkollore duhet ta përcjellë mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkollë, task forca komunale në komunë, ndërsa në përkrahje të tyre do të jetë edhe inspektorati i arsimit, me stafin e DKA-së, inspektorët santiarë dhe fjalën e fundit e kanë IKShPK-ja, por të gjithë ne do të mundohemi të shikojmë nëse po mbahen këto pikë për pikë, përgjegjës për menaxhimin e shkollës është menaxhmenti i shkollës dhe task forca e shkollës.

KALLXO.com: E përmendët disa herë task forcën e shkollës. Kush e përbënë këtë task forcë?

Rexhaj: Është i përbërë nga menaxhmenti i shkollës, një lloj këshilli i shkollës, por pak më i gjerë. Mund të jetë një anëtar i QKMF-së, andaj e kemi bërë një task forcë të re, ku nuk do të jetë vetëm këshilli i shkollës por edhe me prani të madhe të komunitetit, të komunës e cila është po ashtu shumë vendimmarrëse në aspektet psikologjikë, administrative. Në rend të parë, shëndetësia është task forca.

KALLXO.com: Po ashtu, para se të fillojë viti i ri shkollor është paraparë testimi i 1500 mësimdhënësve. Sa janë testuar deri tani dhe në bazë të rezultateve të deri tanishme sa prej tyre kanë rezultuar me COVID-19?

Rexhaj: Nuk i kemi rezultatet ende, testimi ka përfunduar. Rezultatet i ka IKShPK dhe është çështje ditësh dhe hulumtimi është bërë nga IKShPK.

KALLXO.com: Po ashtu është përmendur edhe angazhimi i rreth 1000 mësimdhënësve. Si është planifikuar angazhimi i tyre dhe në cilat komuna?

Rexhaj: Janë kategori. Është një ndihmesë e vogël, jo shumë e madhe nga ana e Qeverisë, vlera është e madhe por në Kosovë janë 23 mijë mësimdhënës dhe kostoja me qindra milionë euro që duhet të dalin. Përpunimi i normave i bjen rreth 1 normë për një shkollë në muaj. 1 mësimdhënës në shkollë. Ndarja e këtyre mjeteve është bërë në bazë të nxënësve në komunë, saktësisht dihet.

Prishtina ka më shumë mjete sepse ka më shumë nxënës dhe aty ku ka më shumë shtohet më shumë vëllimi i punës dhe prandaj ka më shumë përkrahje nga ana e Qeverisë dhe ministrisë për vëllimin e shtuar të punës.

KALLXO.com: Diçka për fund për të shtuar që nuk ju kemi pyetur?

Rexhaj: Kujdes. Distancë. Pastërti. Maska. Vetëm të gjithë bashkë, sidomos prindëritë janë të rëndësishëm në këtë fazë. Prindëritë dhe mësimdhënësitë janë fronti i parë, vija e parë mbrojtëse të gjithë shoqërisë kosovare prej valës së pandemisë.Ne i kemi bërë të gjitha, Ministria, Drejtoritë Komunale, Qeveria, ato cka mundet mi bë Kosova, mirëpo, po su individualizua rezistenca dhe përballja me pandeminë, vështirë se cdo shtet e fiton sfidën me pandeminë.

E shihni se cfarë sfida ka Amerika, andaj zgjidhja janë prindëritë, mësuesit, nxënësitë dhe menaxhmenti i shkollave dhe ne jemi në përkrahje të tyre.