Kandidati për deputet nga PDK, Fatbardh Rexha. Foto: Naser Fejza/Kallxo.com

Rexha: Sigurimet shëndetësore - "top prioritet" i PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në mesin e prioriteteve për sektorin e Shëndetësisë e ka edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Ky Fond nga kjo parti shihet si obligativ, për një Sistem Shëndetësor të mirëfilltë.

Ndonëse, kandidati për Deputet i kësaj partie, Fatbardh Rexha, në emisionin “Debat Përnime” nuk dha një afat kohor se kur pritet të fillojë funksionalizmi i këtij Fondi, ai u zotua se nëse PDK vjen në pushtet, qysh prej vitit të parë të qeverisjes do të punohet në këtë drejtim.

“Sigurimet shëndetësore janë obligative për funksionim të mirëfilltë të Sistemit Shëndetësor. Baza legjislative ekziston. Mund të themi se është top prioritet i Programit të PDK-së, funksionalizmi i sigurimeve shëndetësore. Nuk mund të themi saktë në mënyrë kohore datën e fillimit, megjithatë do të jetë një punë e jashtëzakonshme që do të bëhet gjatë vitit të parë.” – tha ai.

Në kuadër të Programit të PDK-së, sipas Rexhës, parashihet edhe mbulimi dhe rimbursimi i disa kategorive për shërbimet mjekësore.

“Programi i PDK-së e parasheh që në ofrimin e shërbimeve shëndetësore t’i mbulojë – t’i rimbursojë shërbimet për kategori të caktuara dhe ta rimbursojë këtë deficit me shërbime shëndetësore.” – tha Rexha.

Për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët e Kosovës, nga kandidatët për deputetë nga PDK, u premtuan edhe investime në funksionalizimin dhe modernizmin e Spitaleve Rajonale dhe në Qendrën Universitare të Kosovës.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.

E për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Planet e PDK-së: Digjitalizim e rritje pagash në shëndetësi dhe Memorial të Gjenocidit në Prishtinë