Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rexha i VV-së: Në disa raste ka zjarrvënie të qëllimshme

 

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexha tha se situata me zjarre në Kosovë është stabile dhe nën kontroll.

“Kjo qeveri në fushën e emergjencave ka trashëguar shumë probleme si mungesën e personelit në AME, mungesën e numrit të mjaftueshëm të zjarrfikësve, pajisjeve tek shërbimi i zjarrfikësve, si dhe paqartësive ligjore sa i përket autorizimeve AME komunë, mungesa e trajnimeve për zjarrfikësit”, tha Rexha.

Ai përmendi në seancë si problem të zjarrfikësve që është mosha e shtyer e personelit, ku sipas tij mosha aktuale është 50 vjeç.

Sipas tij në disa raste duket që ka pasur zjarrvënie të qëllimshme nga njerëz.

“Kërcënim serioz mbetet zjarri në Shtupeq në Rugovë”, shtoi ai.

Ndërsa deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha që qeveria duhet t’i dalë në ndihmë qytetarëve dhe kryetarëve.

“Qeveria duhet ta ngrisë shkallen e gatishmërisë që t’i dalë në ndihmë qytetarëve dhe kryetarëve të komunave të cilët po e kryejnë detyrën siç është më së miri”, tha deputetja e AAK-së.

“Kjo qeveri zjarrfikësve, policëve dhe ushtarëve iu ka larguar mëditjet të cilat i ka pasur dhe që ju kanë takuar me ligjin anti-COVID”, shtoi Kadrijaj.