Protestat me kërkesën për dorëheqje të kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, Pamje nga një video e AP-së

“Revolucioni i Gjeneratës Z” që rrëzoi një kryeministre që ishte në pushtet për 15 vjet

Në Bangladesh, njerëzit po i referohen si revolucion i Gjeneratës Z – një lëvizje protestuese që nxori në rrugë kryesisht studentë protestues kundër një kryeministreje 76-vjeçare, e cila e kishte dominuar kombin e saj për dekada me radhë dhe viteve të fundit po shndërrohej përherë e më shumë në një prijëse autoritare.

Kishte festë në rrugët e kryeqytetit të Bangladeshit, Daka, pasi të hënën (05.08.2024) kryeministrja Sheikh Hasina dha dorëheqje dhe u arratis nga vendi me një helikopter pas javësh të tëra me trazira vdekjeprurëse kundër qeverisë.

Largimi i papritur Hasinas pas 15 vjetësh në pushtet, ishte moment kthese për liritë civile dhe për ndalimin e përdorimit të forcave të armatosura për shtypjen e pakënaqësisë, thonë kritikët dhe grupet e të drejtave të njeriut, raporton CNN.

Në një adresim kombëtar, shefi i ushtrisë së Bangladeshit, gjenerali Vaker-uz-Zaman, ka thënë se ushtria do të formojë një qeveri të përkohshme, por prijësit e protestave studentore kanë bërë thirrje që laureati i Nobelit, Muhammad Yunus, t’i prijë administratës së përkohshme.

Më vonë gjatë të martës (06.08.2024), një burim në grupin e pavarur të mendimit, Qendra Yunus, në Dakë, ka konfirmuar për CNN se themeluesi i saj është pajtuar të kthehet në vendlindje për të përmbushur kërkesën e protestuesve që të shërbejë si drejtues i qeverisë së përkohshme, derisa partia më e madhe opozitare ka ofruar përkrahje të plotë për kërkesat e studentëve.

Çfarë nisën si protesta paqësore të studentëve kundër kuotave të punësimit në shërbimin civil, u shndërruan në një shtytje mbarëkombëtare për ta detyruar Hasinan të largohej pasi protestuesit u përballën me fushatën represive të qeverisë lokale që mori jetën e së paku 300 personave, kanë raportuar agjencitë dhe mediat lokale.

Hasina fajësoi opozitën për dhunën dhe imponoi bllokada ndaj internetit dhe vuri orë të pakufizuar policore në mbarë vendin.

Reagimi i saj vetëm sa u fryu edhe më shumë flakëve të zjarrit të protestuesve dhe në fund liderja më jetëgjatë grua e një qeverie u detyrua të arratisej shpejt e shpejt nga vendi bashkë me motrën e saj drejt Indisë para se turmat ta sulmonin rezidencën e saj zyrtare, duke vjedhur e plaçkitur.

Pse bangladeshasit dolën në rrugë?

Studentët nisën protestat më 01.07.2024 në Universitetin prestigjioz të Dakës me kërkesën për t’i dhënë fund sistemit të kuotave nga qeveria, që rezervon 30 për qind të posteve të shërbimit civil për të afërmit e veteranëve që luftuan në luftën e Bangladeshit për pavarësi nga Pakistani më 1971.

Shumë prej pjesëtarëve të elitës politike moderne të vendit janë të lidhur me atë gjeneratë – përfshirë Hasinan, të bijën e Sheik Mujibur Rahmanit, të njohur gjerësisht si themelues i Bangladeshit modern, por që do të vritej më 1975.

Vendet e rezervuara lidheshin me sistemin e sigurisë dhe postet me paga të larta, dhe protestuesit thanë se sistemi i kuotave është diskriminues dhe favorizon mbështetësit e partisë në pushtet të Hasinas, Lidhja Avami.

Zemërimi më i madh në vend buronte prej shkallës së lartë të papunësisë, sidomos në mesin e të rinjve. Bangladeshi ka përjetuar rritje të madhe ekonomike nën Hasinan, por shënoi tkurrje pas epokës së pandemisë dhe po përballet me inflacion të madh dhe zhvlerësim të monedhës në raport me valutat e huaja. Në një vend me 170 milionë banorë, më shumë se 30 milionë prej tyre nuk janë pjesë e fuqisë punëtore ose e edukimit.

Protestat morën karakter të dhunshëm më 15 korrik dhe reagimi përherë e më i dhunshëm i qeverisë vetëm sa përshkallëzoi zemërimin, madje edhe pasi Gjykata Supreme kishte rrëzuar shumicën e kuotave kundërthënëse për vendet e punës në qeveri dhe pas tërheqjes së bllokadës ndaj internetit.

Të dielën, së paku 91 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në përleshjet ndërmjet policisë dhe protestuesve, numri më i lartë i viktimave brenda një dite në protesta në historinë më të re të vendit.

 “Gjak para universitetit tim”

Pas dorëheqjes së Hasinas të hënën (05.08.2024), festa shumë shpejt mbet në hije të dhunës derisa protestuesit dogjën shumë ndërtesa, përfshirë Muzeut Memorial Bangabandhu – rezidencën stërgjyshore të babait të Hasinas, Mujibur Rahman – dhe zyrat e Lidhjes Avami, kanë thënë dëshmitarët për televizionin CNN.

“Situata mori karakter të shëmtuar përnjëmend shpejt”, ka thënë Raiyan Aftab, student 23 vjeç, i cili është pjesë e Universitetit BRAC. Ai tha se policia nisi të qëllonte protestuesit para kampusit. “Ata qëlluan këdo. Tani para universitetit tim ka gjak. Janë diku rreth 30 trupa… nuk munda të flija gjithë natën”.

Në mbarë kryeqytetin, protestuesit antiqeveritarë u sulmuan prej policisë dhe personelit ushtarak, thanë dëshmitarët. Në Kolegjin Mjekësor të Dakës, policia qëlloi protestuesit, ka thënë një bashkëpunëtor i CNN-it në terren.

Studentët dhe protestuesit në Kampusin Universitetin të Dakës dhe te monumenti kombëtar, Shaheed Minar, u rrahën prej policisë derisa po mblidheshin te këto lokacione.

“Unë shkova me shokë te Shaheed MInar për të festuar. Ishte epike. Ishin dhjetëra mija njerëz aty, të gjithë kishin dalë pavarësisht shtresës, prejardhjes, religjionit, të gjithë jemi bashkë dhe të gjithë studentët dolën me flamuj dhe gjëra të ndryshme. Ishte një moment historik”, ka thënë Aftab. “Por kaloi sa hap e mbyll sytë”.

Njëherësh, po shfaqeshin online pamje të të rinjve që po mbronin tempujt induse derisa në internet kishte edhe informacione të paverifikuara dhe një bandë njerëzish që po sulmonte një tempull, ka bërë të ditur drejtori tempullit Meherspur ISKCON.

Trashëgimia politike e Hasinas

Demonstratat nisën të ktheheshin në sfidën e fundit të Hasinas pas sigurimit të mandatit të katërt me radhë në zgjedhjet e janarit, të cilat me të madhe u bojkotuan nga partia më e madhe opozitare në shenjë të protestës kundër asaj që e konsideronin fushatë e gjerë e shtypjes së zyrtarëve të saj.

Të martën (06.08.2024), presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabudin, bëri të ditur lirimin e lideres opozitare dhe ish-kryeministres, Khaleda Zia – një rivale e kahershme e Hasinas – e cila ishte burgosur më 2018 me akuzat për korrupsion, të cilat i kishte mohuar. Protestuesit e tjerë studentorë dhe të arrestuarit me “raste të rrejshme”, u liruan gjithashtu, njoftoi presidenti.

Karriera politike e Hasinas shtrihet në një hark kohor disadekadësh pas kthimit nga ekzili në fillim të viteve tetëdhjetë, pas vrasjes së babait të saj dhe shumicës së anëtarëve të familjes. Më 1990, ajo i priu një kryengritje popullore demokratike kundër sundimit të ushtrisë dhe u mbijetoi disa atentateve në vitet pasuese.

Ajo u zgjodh së pari kryeministre më 1996 dhe shërbeu një mandat para se të kthehej në pushtet më 2008, duke e qeverisur Bangladeshin me partinë e saj Lidhja Avami deri të hënën.

Organizatat e të drejtave të njeriut kishin paralajmëruar se Hasina dhe Qeveria e saj po shkonin drejt një sistemi njëpartiak, dhe kritikët shprehnin shqetësimet e tyre lidhur me raportet të dhunës politike në ngritje, intimidimit të votës dhe poshtërimit të mediave dhe figurave opozitare.

Gjatë kohës së saj në pushtet, grupet e të drejtave të njeriut thonë se qeveria përdori ligjin e sajtë sigurisë kibernetike për të shtypur lirinë e shprehjes në internet, duke arrestuar gazetarë, artistë dhe aktivistë, me raste të raportuara për burgosjes dhe tortura arbitrare.

Por Hasina ia kishte dalë t’i menaxhonte shumë protesta të mëhershme kundër sundimit të saj që kishin shpërthyer sidomos pas zgjedhjeve, andaj dorëheqja e saj pas pesë javësh me protesta u konsiderua si e papritur.

Të rinjtë, të cilët kishin parë bashkëmoshatarë duke iu vrarë dhe qëlluar, të zemëruar edhe prej mungesës së vendeve të punës, korrupsionit dhe represionit, më nuk mund të ndaleshin as me orë policore, bllokada interneti ose forca sigurie.

“Ky mund të jetë fort sigurt revolucioni i parë i suksesshëm i udhëhequr nga Gjenerata Z”, ka thënë Sabrina Karim, asistent-profesoreshë në Universitetin e Cornellit, e cila ka specializuar në studimin e dhunës politike.

Ushtria mund të ketë luajtur gjithashtu rol në dorëheqjen e Hasinas. Karim ka thënë në një deklaratë se “duket se ushtria nuk ishte gjithnjë një forcë e bashkuar në mbështetje të regjimit të Hasinas”.

“Megjithëse ka shumë fotografi dhe video që po qarkullojnë me ushtarët që përdorën forcën vdekjeprurëse dhe të shtënat ndaj protestuesve të paarmatosur, disa anëtarë të ushtrisë bënë thirrje për një hetim të pavarur të udhëhequr nga OKB-ja këtyre krimeve”, ka thënë ajo. “Shto kësaj, disa pjesëtarë të ushtrisë bënë të ditur dje se nuk do të përdornin forcën vdekjeprurëse kundër protestuesve të mbledhur në kryeqytet”.

Çka tash?

Të martën (06.08.2024), Bangladeshi priti formimin e një qeverie të përkohshme, derisa organizatorët e protestave, “Studentët kundër diskriminimit”, thanë se do të takohen me shefin e ushtrisë.

Lideri i studentëve, Mohammad Nahid Islam, ka thënë se nuk janë përmbushur të gjitha kërkesat e tyre, dhe se pas dorëheqjes së Hasinas, grupi kërkonin “heqjen njëherë e përgjithmonë të sistemeve fashiste”. Liderët thonë se nuk do të pranojnë një qeveri të udhëhequr ose të përkrahur nga qeveria.

Grupi protestues thotë se qeveria e përkohshme duhet të udhëhiqet prej Yunusit, sipërmarrës shoqëror dhe bankier, i cili fitoi çmimin Nobel për Paqe më 2006 për zhvillimin e veprimtarisë mikrofinanciare që ndihmoi luftimin e varfërisë në Bangladesh.

Yunus shimë shpejt pritet të kthehet në Bangladesh me qëllimin për të marrë postin “pas një procedure të vogël mjekësore në Paris”, ka deklaruar një burim për televizionin CNN. Grupi “Studentët kundër diskriminimit” ka konfirmuar gjithashtu kthimin e tij, duke i thënë CNN-së: “Jemi shumë të gëzuar t’ju njoftojmë se D. Yunus është pajtuar të pranojë këtë sfidë për ta shpëtuar Bangladeshin me kërkesë të studentëve tanë”.

Duke për folur për televizionin CNN të hënën, Yunus ka thënë se dëshiron që ushtria t’i çojë duart prej kontrollit të vendit, duke ia dorëzuar pushtetin e plotë një qeverie civile.

“Njerëzit po festojnë në rrugë dhe miliona të tjerë anembanë Bangladeshit po festojnë si të ishte dita jonë e lirisë”, ka thënë ai.

Derisa po festohej dorëheqja e Hasinas, disa bangladeshas shprehën shqetësimin e tyre për rrugën e ardhshme derisa vendi po mundohet të mbushë boshllëkun e lidershipit.

“Hasina mund t’ia ketë mbathur, por ende ka një rrugë të gjatë për Bangladeshin”, ka thënë studentja Faiza Chovdhury, 25 vjeçe. “Vendi nuk do të jetë i lirë derisa të mos mbrohen pakicat tona etnike dhe fetare, si dhe derisa të mos drejtësi për to”.

Protestuesi Aftab ka thënë se nuk do assesi që ushtria të mbajë pushtetin.

“Duhet të kujtojmë 15 vitet e kaluara, ushtria nuk bëri asgjë . Mbrojti këtë regjim, kështu që nuk mund thjesht të marrin pushtetin dhe të bëhen djem të mirë. E dimë fort mirë kush janë dhe se çfarë do të bëjnë”, ka thënë ai.

Të tjerët ishin më optimistë. Një tjetër bangladeshas që po studion në New York i ka thënë televizionit CNN se “Gjenerata Z e bëri gjithçka të mundshme. Ata janë e ardhmja e Bangladeshit dhe po ata mund të krijojnë një të ardhme më të mirë./CNN