Revoltohen sindikalistët e Teatrit Kombëtar, kërkojnë përmirësim të kushteve dhe rritje të pagave
Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (SHSATKK) ka nisur një aksion sindikal me kërkesën për përmirësimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e këtij teatri.
Përmes një komunikate për media, SHSATKK ka bërë të ditur se nga dita e hënë, më 16.09.2024, ka nisur hapat sindikal duke nisur provat me 10 minuta vonesë. Vendimi për ndërmarrjen e masave sindikale, sipas kësaj shoqate, ka ardhur “pas mospërfilljes së kërkesave të tyre, për përmirësim të kushteve në TKK dhe përmirësimin e koeficienteve të pagave, por edhe obligimeve tjera nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për hartimin dhe miratimin e rregullores për organizimin e brendshëm të pozitave në Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK)”.
SHSATKK thotë se në përputhje me të gjitha rregulloret dhe ligjet përkatëse, ka marrë vendim që me datë 16.09.2024, të filloj zyrtarisht zbatimin e hapave sindikal.
“Ky hap [nisja e provave me 10 minuta vonesë] është vetëm fillimi i hapave që do të ndërmarrim ashtu siç kemi paralajmëruar në letrën e dërguar Ministrit të Kulturës të datës 09.09.2024. Hapat sindikal do të përshkallëzohen javë pas jave deri në realizimin e kërkesës tonë: Përmirësimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës”- thuhet në komunikatën e SHSATKK-së, nënshkruar nga kryetarja Sheqerije Buçaj.
SHSATKK thotë se kërkesën e bazon në përgatitjen profesionale të trupës artistike të TKK-së; shkallën e përgjegjësisë; specifikat e vendit të punës; volumin e madh të punës; punës pa orar e cila arrin edhe deri në 16 orë punë në ditë; punës gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të punës; kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrit të reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik).
Përveç këtyre, thuhet në komunikatë, aktori i TKK-së, pavarësisht kualifikimit superior, ka pagë të barabartë edhe me punëtorët teknik teatrove të qyteteve.
“Aktorët e TKK- së janë e vetmja kategori jo që nuk ka përfituar, por janë diskriminuar me Ligjin për paga dhe kanë të ardhurat më të vogla në rajon. Nëse e marrim vetëm Shqipërinë, aktorët e të cilit shtet na kishin lakmi dje, sot të njëjtin në Teatrin Kombëtar të Tiranës gëzojnë dyfishin duke arritur pagë deri në 1500 euro. Pagë kjo në nivel universitar ashtu siç e kanë edhe Teatrot Kombëtare në vendet tjera të e rajonit dhe njashtu siç kemi kërkuar edhe ne që prej themelimit”- thuhet në komunikatë.
SHSATKK është e bindur se kërkesat e parashtruara janë plotësisht ligjore dhe legjitime, lehtë të korrigjueshme sikur të ketë vullnet nga ana e MKRS-së.
KALLXO ka provuar të marrë edhe një prononcim nga Kushtrim Sheremeti, drejtor i TKK-së, po ka thënë se nuk është i informuar dhe ka sugjeruar që të pyetjet t’i drejtojnë tek SHSATKK.
Ndërsa, MKRS nuk iu është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me akuzat dhe kërkesat e SHSATKK-së deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.