Ilustrim

Revolta ndaj reformës në arsim lë nxënësit pa mësim në Kamenicë

Nxënësit e paraparë të vijnë në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë nuk po e mbajnë mësimin tash e 6 javë pas revoltës që prindërit e tyre kanë ndaj reformës në arsim të nisur nga Komuna e Kamenicës.

 

 

Ani pse fëmijët nuk po vijojnë mësimet, mësimdhënësit po e respektojnë orarin e punës.

Njëri prej tyre është Lulzim Qehaja, arsimtar i Matematikës dhe Fizikës, i cili deri në vitin e kaluar ka qenë në shkollën “Abdullah Krashnica-Presheva” në Koretin.

Ai thotë se shkolla nuk plotëson kushtet për nxënësit që janë bartur nga shkolla e Koretinit.

“Të barten 250 nxënës në këtë objekt shkollës këtu, nuk ekzistojnë as elementet themelore për mbajtjen e procesit mësimor. Nuk ka kabinete. Komuniteti i shkollës “Rexhep Mala” nuk i sjellë nxënësit këtu, e bojkoton. Kurse, komuniteti I shkollës fillore të fshatit Koretin “Abdullah Krasniqi-Presheva”,po ashtu nuk I sjell këtu për shkak të mos kushteve të cilat janë në këtë shkollë për zhvillimin e mësimit, ata dojnë me mësu në shkollën e tyre dhe e kanë kundërshtuar”, ka shtuar në fund mësimdhënësi.

Në anën tjetër, mos respektimi i kësaj reforme, ka bërë që komuna t’i padisë 23 prindër, me arsyetimin që nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre.

Në mesin e tyre, është edhe Arsim Thaçi, që është kryesues i Komitetit për Arsim dhe mësimdhënës në fshatin Koretin.

Thaçi për KALLXO.com ka thënë se në mesin e 300 prindërve që nuk po i dërgojnë fëmijët në shkollë janë paditur vetëm 23.

“Është interesante në mesin e më shumë se 300 prindërve jemi të paditur edhe ne, por kryetari ka shkuar me bë padinë në disa faza, është e çuditshme se 23 prindër qenkan në fazën e parë, prej tyre 20 nga Koretini e 3 nga Topanica. E ka dërguar një padi në gjykatë që kur të nalesh me shiku është një lloj ankese tek gjykata, pastaj gjykata tash ta thotë fjalën e vet. Por unë mendoj se kjo është një lloj presioni, dështimin e vet me arsyetuar sepse procedurat demokratike janë që nëse qytetarët nuk mundesh mi bind, mos shko më tutje”, thotë ai.

Një atmosferë e qetë dhe pa nxënës gjendet edhe në shkollën “Abdullah Krashnica-Presheva” në Koretin.

Edhe këtu mësimdhënësit kanë qëndruar në objektin e shkollës por nuk janë duke zhvilluar mësim.

Në anën tjetër, shkolla “7 shtatori” në fshatin Krilevë nuk ishte hapur fare.

Sipas reformës së Komunës së Kamenicës, nxënësit e kësaj shkolle tashmë udhëtojnë çdo ditë për në shkollën e qytetit “Dëshmorët e Kombit”.

Në dallim prej fshatrave, oborri i kësaj shkolle është i mbushur me nxënës.

E edhe autobusët që bëjnë transportimin e nxënësve nga fshatrat Tugjec, Krilëvë dhe Strezoc, vijnë në kohën e duhur për t’i marrë ata.

Për Begishe Mahmutin nga fshati Strezoc nuk është e lehtë që djali i saj të vijojë mësimet në shkollën e qytetit.

“ Po adaptohet ama shumë po dëshiron përcjellje. Nuk dëshiron vetëm me ardh, vendi i huaj, po frikësohet po mbetet këtu poshtë, po ka frikë. Po lodhet, detyra s’po mun i bënë. Në vend se të hajë bukë, bjen flen në gjumë. Brenda 24 orëve,1 herë po han bukë, po e thërrasim me u qu prej gjumit mi bë detyrat, sytë mbyll”, tregoi Mahmuti për KALLXO.com.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka treguar për KALLXO.com në lidhje me padinë që e ka bërë për 23 prindërit.

“Në anën tjetër ligji na obligon, nuk është në vullnetit tonë a dëshirojmë a jo. Ligji na obligon që me njoftuar gjykatën nëse një prind gjatë shkollimit obligativ nuk e dërgon fëmijën e tij pa arsyeje më shumë se dy javë”, thotë Kastrati.

“Ne kemi vendosur që në këtë fazë me i dërgu mësimdhënësit, shërbyesit civil në Komunë që kanë pozita dhe kanë shkollim universitar dhe stafin politik, që me qenë grupa e parë dhe janë dy arsye. E para është që qëndrojnë më mirë ekonomikisht dhe nën dy përderisa i kanë këto përgjegjësi ata do të duhej me i njoftë rregullativat e ligjeve në fuqi”, ka shtuar ai për KALLXO.com.

Kastrati qysh nga fillimi i reformës në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti dhe pretendon që të zvogëlojë numrin e shkollave që kanë numër të vogël të nxënësve, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.