Revole me silenciator e jelek antiplumb si i Policisë, 3 të arrestuar në Durrës

Tre persona janë arrestuar në një operacion të Forcave të Posaçme Operacionale të Policisë shqiptare në Durrës.

Operacioni kishte në shënjestër parandalimin, evidentimin dhe goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike.

Personat e arrestuar në operacionin “Silenciatori” janë B. M., 28 vjeç, V. Z., 24 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale – vjedhja,  të tre banues në Durrës.

Forcat policore kanë ndaluar veturën me të cilën lëviznin të dyshuarit pasi i kishin vëzhguar për një kohë.

Dhe, në veturë Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri me silenciator dhe një jelek antiblumb si i Policisë.

“Nga hetimet dhe informacionet e marra, rezulton se armën e zjarrit dhe antiplumbin do t’i shisnin kundrejt vlerës 3000 euro.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e  shtetasit V. Z., u gjetën 10 doza me lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa”, njofton Policia e Shtetit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e  personave që do të blinin sendet e kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprat penale – armëmbatja pa leje dhe prodhimi dhe shitja e narkotikëve.