Foto: Israel Defense Forces / fFacebook

Reuters: Trupat izraelite futen 25 kilometra afër Damaskut

Një inkursion ushtarak izraelit në Sirinë jugore ka arritur deri 25 kilometra afër anës veriperëndimore të kryeqytetit Damask, kanë bërë të ditur për Reutersin më 10.12.2024 dy burime siriane të sigurisë.

Burimet kanë thënë se trupat izraelite kanë arritur deri në Qatana, që shtrihet 10 kilometra në lindje të zonës së demilitarizuar që ndan Rrafshnaltat e Golanit, të pushtuar nga Izraeli. Ushtria izraelite ka refuzuar kërkesën e Reutersit për koment.

Ndërkohë mediumi britanik, BBC ka raportuar se shpërthime janë dëgjuar në Damask edhe më 10.12.2024.

Gjatë 09.12.2024, BBC ka raportuar se janë kryer bombardime ajrore izraelite në territorin sirian. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut ka përditësuar të dhënat, duke theksuar se prej rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fundjavë, Izraeli ka kryer më shumë se 310 bombardime ajrore në territorin sirian.

Këto sulme kanë pasur për cak fabrika, armatim dhe depo municioni, aeroporte dhe qendra të kërkimit shkencor. Lokacionet përfshijnë periferitë e Damaskut, zonën Qudsaya në rrethinën e kryeqytetit dhe atë Salamiyah në Hama.

Izraeli ka bërë të ditur se po vepron me qëllim që armatimet të mos bien në “duar të ekstremistëve” pas rrëzimit të regjimit të Assadit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com