Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

'Reuters' shkruan për arrestimin e gazetares ruse në Kosovë

Pas deklaratave të Sveçlës ku thoshte se gazetarja ruse kishte marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus, mediat ndërkombëtare shkruajnë për arrestimin e saj dhe njëherësh, për raportet Kosovë-Serbi.

“Kosova ndalon gazetarin rus në kufi”.

Ky ishte titulli i artikullit që Agjensia Ndërkombëtare e Lajmeve “Reuters” i ka dedikuar arrestimit të gazetares ruse në Kosovë.

Lajmin për arrestimin e gazetares, Daria Aslamova, e kishte konfirmuar Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, të shtunë

“Shumë vende kanë vërtetuar se ajo ishte e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ajo pretendonte të ishte gazetare”, tha Svecla në deklaratën për shtyp.

Sipas Sveçlës ajo ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus.

Reuters nuk mundi të verifikonte akuzat e Sveçlas ngase sipas agjensisë, gazetarja nuk ishte e disponueshme për koment dhe ishte e paqartë nëse ajo kishte punësuar një avokat.

Svecla ka publikuar në faqen e tij në Facebook disa foto të gazetares me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe një tjetër me presidentin sirian, Bashar al-Assad.

“Rusia është aleati kryesor i Serbisë dhe ashtu si Beogradi është kundër pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Reuters gjersa ka kujtuar tensionet në Veri të Kosovës.

Mirëpo, tensionet e krijuara në veri të Kosovës nuk ishin të vetmet me fqinjin e kësaj të fundit.

Të shtunën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, është sulmuar me armë në veri të Kosovës, përkatësisht prej 10 të shtënash të njëpasnjëshme në drejtim të tyre.

Kosova i është bashkuar dënimeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe tashmë ka vendosur sanksione./Dukagjini

Kosova e ndalon në kufi rusen e akuzuar për spiunazh