Reuters: Serbia e vë theksin tek rëndësia e pajisjeve mbrojtëse kineze

Pajisjet ushtarake kineze i kanë forcuar ndjeshëm forcat e armatosura serbe, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Serbisë për mediat shtetërore kineze, veçanërisht një sistem të mbrojtjes ajrore dhe dronët.

“Për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak-ushtarak, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, thotë Milos Vuçeviq, për Global Times në një intervistë të botuar të dielën. Vuçeviq është njëkohësisht edhe ministër i mbrojtjes. 

Sipas Vuçeviq përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura e kanë për qëllim mbrojtjen.

Presidenti i Kinës Xi Jinping kërkoi një koordinim më të fortë strategjik me “mikun e hekurt” Serbinë kur e takoi presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje për Serbinë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.

Vuçeviq thotë se sistemi i raketave kundërajrore me rreze të mesme veprimi të Kinës FK-3 dhe UAV-të e saj CH-95 dhe CH-92A kishin qenë “pa dyshim” ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte marrë Serbia.

Vendi ballkanik, Serbia, i ka ekspozuar raketat e tij tokë-ajër të prodhuar nga Kina së bashku me pajisje të tjera ushtarake të blera nga Rusia dhe Perëndimi në prill të vitit të kaluar.

Serbia e ka blerë sistemin e mbrojtjes tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin rus S-300 ose sistemin amerikan Patriot, në vitin 2019. Ky sistem është dorëzuar në Serbi vitin e kaluar./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala